Studentët e vitit të katërt të programit të Arkitekturës në Universitetin Barleti zhvilluan një vizitë studimore në terren pranë Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në kuadër të laboratorit të projektimit për këtë semestër akademik.
Vizita u organizua si pjesë e procesit praktik të mësimdhënies, me qëllim që studentët të njihen nga afër me kontekstin urban, karakteristikat e territorit dhe potencialin zhvillimor të zonës, të cilat janë elementë thelbësorë në procesin e projektimit arkitektonik. Tema e këtij semestri fokusohet në projektimin e një strukture pritëse hotelerie, e menduar për të shërbyer për vizitorët dhe udhëtarët në zonën përreth aeroportit.
Gjatë vizitës në terren, studentët patën mundësinë të analizojnë kushtet reale të sitit, përfshirë aksesin, infrastrukturën ekzistuese, raportin me peizazhin përreth dhe dinamikën e zhvillimit urban të zonës. Kjo përvojë praktike i ndihmon ata të kuptojnë më mirë lidhjen mes teorisë së mësuar në auditor dhe aplikimit të saj në projekte konkrete arkitektonike.
Aktivitete të tilla janë pjesë e rëndësishme e formimit profesional të studentëve të Arkitekturës në Universitetin Barleti, pasi inkurajojnë analizën kritike, vëzhgimin në terren dhe zhvillimin e ideve të qëndrueshme të projektimit në kontekst real.
Universiteti Barleti vijon të promovojë një qasje praktike dhe bashkëkohore në edukimin arkitektonik, duke krijuar mundësi që studentët të ndërthurin njohuritë teorike me eksperiencat në terren dhe sfidat reale të profesionit.
