Me rastin e Ditës së Verës, Qeveria Studentore UniBa organizoi një aktivitet festiv në kampusin e Universitetit Barleti, duke sjellë një atmosferë plot energji, muzikë dhe bashkëpunim mes studentëve.
Studentë nga programe të ndryshme studimi u bënë pjesë e festës, e cila u shoqërua me karaoke, muzikë live dhe aktivitete argëtuese, duke krijuar një ambient të gjallë dhe miqësor në kampus. Pjesëmarrja aktive e studentëve, momentet e ndara së bashku dhe energjia pozitive e kthyen këtë aktivitet në një përvojë të veçantë për komunitetin universitar.
Në këtë festë nuk munguan edhe veroret dhe ballokumet tradicionale të Elbasanit, të cilat sollën simbolikën dhe shijen e kësaj feste të dashur për kulturën shqiptare, duke ruajtur dhe promovuar traditën.
Atmosferës festive iu bashkua edhe stafi i universitetit, duke ndarë së bashku me studentët këtë moment të veçantë dhe duke forcuar frymën e komunitetit në Universitetin Barleti.
Aktivitete të tilla pasurojnë jetën studentore në UniBa, duke krijuar hapësira ku studentët mund të ndërthurin dijen, kulturën, traditën dhe argëtimin, si pjesë e një përvoje universitare të plotë.
