Projekti "Open Research Creation and Innovation in Digitalization" (ORCID), propozim i konsorciumit të përbërë nga Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti Barleti dhe Instituti për Kërkim dhe Zhvillim Barleti në kuadër të “European Digital Innovation Hubs” (Qendrave Evropiane të Inovacionit Dixhital - EDIHs) u vlerësua pozitivisht me “Seal of Excellence”.
Qendrat Evropiane të Inovacionit Dixhital (EDIH) janë “one-stop shops” që mbështesin kompanitë dhe organizatat e sektorit publik për t'iu përgjigjur sfidave dixhitale dhe për t'u bërë më konkurruese.
Projekti ORCID përfaqëson një nismë novatore që synon të nxisë transformimin dixhital dhe inovacionin në Shqipëri. I fokusuar rreth krijimit të një EDIH, ORCID ka për qëllim fuqizimin e bizneseve në fushat e elektronikës, shkencave kompjuterike, IoT, inteligjencës artificiale dhe sigurisë kibernetike.
ORCID synon të promovojë një kulturë inovacioni duke inkurajuar bashkëpunimin midis bizneseve, akademisë dhe sektorit publik. Përmes shkëmbimit të njohurive, partneriteteve kërkimore dhe zhvillimit të teknologjisë, projekti kërkon të nxisë inovacion në sektorët e synuar.