Ditën e hënë, datë 13 Maj 2024, studentët e programit “Dizajn Interieri dhe Produkti” të Departamentit të Industrive Kreative pranë Fakultetit të Shkencave të Aplikuara dhe Industrive Kreative, UNIBA, vizituan qytetin e Shkodrës për të hulumtuar nga afër mbi temën e projektit të tyre drejtuar nga pedagogu Driant Zeneli.
Mbresa të thella u la takimi me Mësuesen Heroinë, Liljana Luani, e cila si një burrneshë e vërtetë, që nga viti 2005, ka trokitur derë më derë në familjet me probleme sociale, e sidomos ato që kanë patur fëmijë të ngujuar nga hasmëritë e nisura për “një fjalë goje”. Historia e punës së saj vetmohuese për të bërë të mundur sadopak, që këtyre fëmijëve t’u kthehet buzëqeshja dhe të mund të shkruajnë e lexojnë si bashkëmoshatarët e tyre, përloti mëse njëherë grupin. Misioni i saj vijon.
Vizita e studentëve Barletas u ndal edhe në Bibliotekën Françeskane, e cila është e lidhur ngushtë me emrin e At’ Gjergj Fishtës si projektuesi i këtij thesari të ruajtjes së historisë dhe kulturës, një simboli i mbrojtjes së interesave kombëtare në arenën ndërkombëtare. Vetë qyteti i Shkodrës ka shumë për t’u treguar studentëve, ndalesa e radhës ishte në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, një tjetër arkivit në celuloid i personaliteteve të historisë sonë, etnografisë, urbanistikës, monumente të kulturës, copëza jete, portrete dhe peisazhi shqiptar i tre brezave duke filluar nga piktori, skulptori dhe arkitekti Pjetro Marubi e duke vijuar me pasardhësit Kel, Gegë dhe nxënësit e tij.