Në datën 21 mars 2024 në mjediset e kampusit 1 të Universitetit “Barleti’ u zhvillua provimi final me studentët e Programit të Vazhduar të Formimit në Fushën Psiko-Pedagogjike. Departamenti i Shkencave të Edukimit dhe Trajnimit Profesional në Universitetin “Barleti” ofroi për herë të parë këtë program në vitin akademik 2023-2024, gjatë periudhës 1 nëntor 2023 deri me 21 mars 2024. Programi është miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në zbatim të Udhëzimit Nr. 3, datë 15.02.2023 i MAS “Për Përcaktimin e Diplomave Universitare të Njëvlershme, të Ngjashme ose të Përafërta me Fushën/Lëndët e Mësimdhënies në Arsimin Parauniversitar dhe Kriteret për Hapjen e Programeve të Studimeve të Formimit të Vazhduar në Fushën Psiko-Pedagogjike”.
Programi zhvilloi 6 lëndë të formimit psiko-pedagogjik, nga të cilat 1 ishte lëndë me zgjedhje dhe u mbyll me provimin final, për të cilin studentët u pajisën paraprakisht dhe me Programin e Provimit Final për Efekt Certifikimi. Numri i krediteve të programit është 35 kredite dhe certifikimi i studentëve u jep mundësi atyre për t’u futur në provimin e licensimit për mësues.Në grupin e parë të këtij viti akademik ishin 28 studentë të diplomuar në master shkencor në profilet e arteve, gjuhëve të huaja, matematikës, shkencave kompjuterike, informatikës, ekonomisë, gjeografisë, shkencave sociale, filozofisë, shumica e të cilëve punojnë si mësues.Fokus-grupi i realizuar me studentët evidentoi se ky program i ka ndihmuar mjaft ata në formimin e tyre psiko-pedagogjik dhe në ushtrimin praktik të shumë elementeve dhe aftësive profesionale që lidhen me mësuesinë. Është miratuar në Qendrën e Shërbimeve Arsimore edhe modeli i certifikatës së programit dhe në muajin prill do të zhvillohet dhe ceremonia ndarjes së certifikatave.
I urojmë suksese grupit të parë të këtij programi në Universitetin “Barleti”!