Në datën 20 qershor në mjediset e Universitetit Barleti, u organizua leksion i hapur mbi Sigurinë publike dhe politikat e zhvillimit, nga Prof. As. Bajram YZEIRAJ. Pjesëmarrës ishin
stafi akademik dhe studentët e masterit shkencor në e Dr. Penale e Kriminologji.
Qëllimi ishte: të sillej në vëmëndje dhe nxitej debati midis botës akademike, organeve shtetërore përgjegjëse dhe opinionit publik; për kuptimin, gjendjen aktuale të sigurisë dhe politikat e qeverisjes; si dhe të evidentoheshin disa alternativa për ndryshim të politikës, unifikim të sistemit e aktorëve përgjegjës dhe përforcim të menaxhimit e bashkëpunimit me shoqërinë civile e sipërmarjen private.
Të pranishmit u njohën me:
- kuptimin mbi sigurinë; qasjet e tjera rreth saj dhe kriteret e vlerësimit të sigurisë publike nga organet vendimarëse, të cilat përdorin evidencën e krimit dhe viktimitetit të regjistruar,
- sistemin e organeve, strukturave e aktorëve të tjerë përgjegjës për sigurinë publike dhe politikat aktuale në këtë fushë të jetës shoqërore,
- difektet që vërehen në vlerësimin e gjëndjes së sigurisë si dhe të sistemit të organeve, i cili vuan nga sektorializmi dhe menaxhimi,
- ndryshimet që duhen bërë për të kolauduar sistemin dhe politikat, në funksion të shtimit të sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve,
Diskutimet vlerësuan e plotësuan analizën e bërë dhe mbështetën ndryshimet e
propozuara, të cilat kanë të bëjnë me:
1. Vlerësimin e sigurisë në nivel kombëtar duke konsideruar përveç kriminalitetit dhe burimet e tjera të rrezikut e pasojat dhe harmonizuar planifikimin e menaxhimin.
2. Riformatimin e sistemit të sigurisë publike (organeve e autoriteteve përgjegjëse), duke bërë plotesimet në kuadrin ligjor për organet dhe autoritetet e sigurisë publike; ngritur Agjencinë Kombëtare të Sigurisë dhe Komitetet Vendore të Sigurisë,
3. Përfundimin e reformave në administratën publike; sistemin e drejtësisë, Policinë e shtetit e agjenci të tjera, sidomos në policinë gjyqësore, për t’iu përgjigjur gjendjes dhe nevojave të shtruara,
4. Dhënien prioritet - politikave të parandalimit social dhe shtimit të investimeve për sigurinë, duke aktivizuar të gjithë aktorët përgjegjës dhe vlerësuar me transparencë treguesit.