Më datë 21.06.2022 u nda nga jeta Ing.Arkt. Spartak Bagllamaja.
Ing.Ark.Spartak Bagllamaja, një vlerë në arkitekturë me rreth 200 projekte të zbatuara në Shqipëri, Itali dhe më gjerë. Akademik, projektues dhe profesionalist i fushës që ka lenë gjurmë me veprat e tij.
Karriera e tij i ka fillesat në moshën 23 vjeçare me projektin e parë të Fabrikës së Filaturës në Korçë. Më pas projektues në Institutin e projektimeve Nr.1 në Tiranë (1972 -1988), më tej kreu studime pasuniversitare në Francë dhe u zhvendos në Itali ku zhvilloi karrierën e tij si “Capo progetto “ në një nga studiot më prestigjoze në bashkëpunim me kritikun më të madh të Arkitekturës Moderne - Bruno Zevi.
Veprat e tij profesionale janë të shumta duke përmenduar disa si: Projekt restaurimi dhe rikuperimi i Villa Molfesi, Via Casteltondo, Roma- Bashkëprojektues me Prof. Bruno Zevi; Projektim i një vile në: “Interbau Moscow”, Rusi; Projekti i rikuperimit të qendrës komunale në Via Bettoni, 6 Roma dhe projekti i “Parcheggio publico” – në bashkëpunim me Fakultetin e Arkitekturës “Vale Giuglia” Università LA SAPIENZA Romë; Projektet e tij më të fundit për Shqipërinë - Projekti i integrimit të rrjetit të tramvait në Tiranë; Projekti i Strukturës integrale urbanistike në Tiranë; projekti Save Girokastra; Projekti i rikonstruksionit dhe rikuperimit të Kalasë së Vivarit Sarandë, etj.
Pjesëmarrës në konkurse ndërkombëtare dhe fitues i disa çmimeve të para si: Konkursi “NARA TOTO”- Japoni; Konkurs i lirë idesh urbanistike dhe arkitektonike: “Një urë e vjetër kontinentale që lidh dy brigje të Øresund - Danimarkë- Suedi (Çmim Nderi) – Autor në bashkëpunim me Ark. L.Zevi dhe P. Veltri; Pjesëmarrës në konkursin ndërkombëtar: Museu Kombëtar- Seul, Korea e Jugut, autor në bashkëpunim me Ark. L.Zevi, S.Tonucci. etj.
Ing.Arkt. Bagllamaja, u bë pjesë e Barletit në vitin 2013 dhe themeloi dhe drejtoi departamentin e Arkitekturës, duke kontribuar deri në vitin 2020 me profesionalizëm në përgatitjen e arkitektëve të ardhshëm, dhe në ndërkombëtarizimin e universitetit.
Ai ka mbajtur leksione dhe referate në disa universitete në Itali si në Romë, Pescara, Bari ku shpesh kolegët e thërrisnin dhe “Ballkanasi” pasi kontributi i tij përveç projektimit shtrihej dhe në Historinë e Arkitekturës.
Lamtumirë Profesor,
Nder dhe privilegj që ishe pjesë e Universitetit BARLETI
Rektori
Prof. Dr. Suzana Guxholli