
Studentët e Klubit Books&Tech të Universitetit Barleti në kuadër të muajit të librit organizuan një vizitë në Shtëpi Studio Kadare që ndodhet në katin e tretë të Pallatit nr.85 në Rrugën e Dibrës, i cili u projektua nga arkitekti M. Velo në vitin 1972. Ndërtesa ose siç quhej në atë kohë “pallati me kuba” është po aq emblematike sa vetë apartamenti, pasi arkitekti që e projektoi guxoi për ta sjellë në stilt të afërt me ndërtesat e kohës dhe në veçanti me Perëndimin. Kjo ishte ndër arsyet që u vu në qendër të akuzave të kohës dhe regjimit të atëhershëm duke u quajtur moderniste dhe kubiste gjë që u shoqërua me pasoja për projektuesin e ndërtesës.
Ndërsa, brenda apartamentit, të ndodhesh në të njejtën atmosferë ku dikur jetoi e shkroi Kadare, na e mundëson të ngjallim në imagjinatë një copëz të jetesës së tij private, të vendeve ku ulej të punonte, librat që lexoi, muzika që dëgjonte, të shohim nga afër dorëshkrime të tij, përkthime dhe fotografi me familjarë e miq. Shtëpia Studio Kadare, jo vetëm mund të na çojë në përsiatje të jetesës së autorit, por edhe të një periudhe për të cilën shumëçka mbetet ende për t’u thënë a interpretuar. Brenda hapsirës së “shtëpisë” gjenden shumë objekte që i përkasin kujtimeve të familjes, gjë kjo që e bën shumë origjinale dhe të prekshme atmosferën e një kohë të shkuar.
Me organizatorët e aktiviteteve kulturore të Shtëpisë Studio Kadare klubi librit sëshpejti do të organizojë një tjetër takim krejtësisht të vecantë në llojin e aktiviteteve kulturore.
Dhurojmë, shkëmbejmë dhe lexojmë për tu pasuruar në mendje dhe shpirt.
