Projekti “Etika dhe Karriera - Të rinjtë kundër korrupsionit”, e nisi ciklin e trajnimeve dhe seminareve me maturantët, ditën e Enjte, dt 27 Mars, në orën 12.00.
Në kampusin 2, prezantimi u krye me maturantët e Gjimnazit të Përgjithshëm “Isa Boletini”, Paskuqan, të shoqëruar nga drejtori i shkollës, Z. Fatos Dragjoshi dhe nga mësueset koordinatorë Znj. Nexhmie Berberi dhe Z. Laim Krashi. Si fillim u bë prezantimi dhe njohja me projektin. Rëndësi iu kushtua lidhjes midis karrierës dhe korrupsionit dhe faktit se një karrierë e shëndoshë dhe e konsoliduar nuk lë vend për nxitjen e korrupsionit.
Për temën e korrupsionit foli Dekani i Studenteve, pedagogu Erion Kristo. Më pas temat në të cilat u fokusua prezantimi ishin rreth fenomenit të korrupsionit si dhe luftës së të rinjve ndaj tij. Pjesa e dytë e prezantimit sqaroi konceptin e karrierës për nxënësit e shkollës së mesme si dhe orientimin që gjimnazistët duhet ti japin karrierës së tyre në përputhje me personalitetin prirjet dhe trendet e tregut të punës sot në Shqipëri.
