Në lektoriumin e organizuar në Universitetin “Barleti” ,në datë 26 Mars 2013,mbajti ligjeratën e tij Prof.Nevruz Koci, përgjegjës i departamentit Ekonomiks.
Prof.Koci bëri një përshkrim të shkurtër të Tranzicionit demografik i cili lidhet me ndryshimin e treguesve të riprodhimit të popullsisë dhe të regjimit të ekuilibrit demografik. Me tranzicion demografik kuptohet kalimi nga një regjim tradicional i ekuilibrit demografik me vdekshmëri e lindshmëri të lartë, në një regjim tjetër (modern) ekuilibri me vdekshmëri e lindshmëri të ulët gjatë procesit të modernizimit të përgjithshëm të prceseve demografike.
Në periudhën para tranzicionit si koeficientët e lindjeve dhe ato të vdekjeve janë të lartë dhe përgjithësisht të pavarur nga vullneti i njerëzve. Duke qënë të dy të lartë ata kanë tendencë të barazpeshojnë proceset demografike.
Gjatë ligjeratës Prof.Koci theksoi se si rezultat i rënies së nivelit të lindshmërisë dhe ndryshimeve moshore që sjell tranzicioni demografik, krijohet një “dritare oportuniteti” që është shumë e rendësishme për një zhvillim të qëndrueshëm për vendin, i cili është konsideruar si “divident demografik”. Pra ndryshimi i raportve midis popullsisë aktive për punë dhe numrit të të rinjve, liron fonde nga “investimet për fëmijët” për të investuar në një sektor tjetër. Në këtë rast vendi ka më shumë pagues taksash se sa ka “konsumues“ të tyre. Gjë që çon në rritjen e të ardhurave dhe shtimin e kursimeve, në përmirësimin ndjeshëm të cilsisë së “kapitalit human” dhe të një cilësisë së jetës në përgjithsi duke marrë më shumë shërbime, etj.
Tematika e trajtuar në këtë lektorium ngjalli shumë interes tek të pranishmit të cilët ngritën pyetje, ku mbi të gjitha spikati argumenti i dividentit demografik.
Lidhur me këtë argument Prof.Koci shpjegoi se do të duhen disa dekada përpara se ky faktor, së bashku me zvogëlimin gradual të madhësisë së familjeve në Shqipëri, ta transformojë këtë krah pune të ri në rritje, në rritjen e të ardhurave, kursimeve dhe investimeve. Do të duhet kohë që ky divident demografik të vihet në efiçencë dhe kjo nuk është gjithnjë e garantuar. Ajo do të varet kryesisht nga një forcë pune e aftë të jetë konkurruese në Europë e më gjerë. Për të arritur këtë Shqipëria duhet të ndjek një axhendë ambicioze sidomos në arsim.
