Dukuritë natyrore gjatë shfaqes së tyre, pasqyrojnë edhe ciklësitë e kohës dhe të hapësirës, si forma të ekzistencës së materies. Këto dukuri zhvillohen identikisht kudo në hapsirë dhe kurdo në kohë, nga ku rrjedhin ligje të rëndësishme dhe universale të ruajtjes së energjisë dhe të impulsit.
Në rastin e dukurive mekanike me të cilat njeriu është në kontakt të përditshëm, bindja është që të dy këto kategori janë absolute, të njëjta në të gjitha sistemet ku vrojtohen këto dukuri.
Dukuritë e përhapjes së dritës, krijojnë mundësinë e rishikimit të natyrës së haësirës dhe kohës: ato nuk janë absolute por varen nga gjendja e lëvizjes së vrojtuesit. Kjo cilësi bëhen të perceptueshme për ne vetëm gjatë vrojtimit të dukurive elektromagnetike, por, në thelb, zbatohen në çdo rast, pamvarësisht që për shpejtësi të vogla të lëvizjes, ato nuk vihen re. Pra hapësira dhe koha janë relative.
Kështu, interesant është të mësohet që vrojtuesi që sheh një tren në lëvizje, mat për gjatësi të tij një vlerë me të vogël se vlera që mat vrojtuesi tjetër brenda këtij treni; orët e udhëtarit kozmik që lëviz në hapsirën yjore me anije ndërplanetare, mbeten mbrapa orëve të kolegut të tij që e pret atë në Tokë. Një udhëtar që largohet nga Toka dhe rivjen pas shumë e shumë vitesh, e gjen bashkëmoshatarët e vet të mplakur më shumë se ai; ndërkohë, hapsira për ‘të është shumë më e shkurtër, çka i jep atij mundësi të kalojë atë në kohë shumë të shkurtër, siç llogaritet nga ora e tij.
Edhe fusha e tërheqjes gravitacionale shkakton të tilla ndryshime të hapsirës dhe kohës. Kështu, pranë sipërfaqes së Tokës, orët mbeten mbrapa në krahasim me disa qindra kilometra larg saj.
Në lektorium u paraqitën këto ide nëpërmjet eksperimenteve të menduara, logjike e bindëse, me qëllimin e krijimit të koncepteve të drejta për hapsirën dhe kohën, të nevojshme për kulturën e brezit të ri që po jeton fillimet e epokave të shpejtësive të mëdha si dhe për të njohur në themel cilësitë e këtyre dy kategorive të rëndësishme të filosofisë së natyrës.
