Në Universitetin Barleti u zhvillua një leksion i hapur me temë “The Role of Artificial Intelligence and Big Data in the New Conception of Statistics”, i mbajtur nga Massimiliano Giacalone (Università della Campania Luigi Vanvitelli, Itali) dhe Gianfranco Piscopo (Università di Napoli Federico II, Itali).
Leksioni ofroi një perspektivë bashkëkohore mbi ndikimin e inteligjencës artificiale dhe Big Data në rikonceptimin e statistikës, duke theksuar rolin e tyre të rëndësishëm në analizën e avancuar të të dhënave dhe në proceset moderne të vendimmarrjes.
Aktiviteti u ndoq me interes nga studentët e programeve Shkenca Kompjuterike, Informatikë e Aplikuar dhe Biznes Dixhital, si edhe nga anëtarë të stafit akademik. Diskutimet që pasuan krijuan një hapësirë të vlefshme për shkëmbim idesh dhe reflektim mbi zhvillimet më të fundit në fushën e teknologjisë dhe statistikës.
Ky aktivitet dëshmon angazhimin e Universitetit Barleti për të sjellë në vëmendje tema aktuale dhe për të nxitur një qasje inovative në procesin e të nxënit dhe kërkimit shkencor.
