Në Universitetin Barleti u zhvillua trajnimi “Indeksi i Zhvillimit në Fëmijërinë e Hershme – ECDI2030”, i cili mblodhi profesionistë (mjekë, infermierë, fizioterapistë) dhe studentë barletas, me synim zgjerimin e njohurive mbi zhvillimin e fëmijëve dhe rëndësinë e vlerësimit të tij në vitet e para të jetës.
Gjatë trajnimit u diskutua mbi përdorimin e ECDI2030, fushat që ai përfshin dhe mundësitë që ofron për të kuptuar më mirë ecurinë zhvillimore të fëmijëve. Pjesëmarrësit u njohën me mënyrën se si të dhënat e mbledhura përmes këtij instrumenti mund të ndihmojnë në identifikimin e nevojave, planifikimin e ndërhyrjeve dhe forcimin e mbështetjes për fëmijët dhe familjet e tyre.
U theksua gjithashtu rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve të shëndetit, edukimit dhe kujdesit social, si dhe nevoja për përfshirjen e prindërve në procesin e mbështetjes së zhvillimit të fëmijës. Vlerësimi i hershëm dhe ndërgjegjësimi i familjeve janë hapa të rëndësishëm drejt krijimit të mundësive më të mira për zhvillimin e çdo fëmije.
Trajnimi u drejtua nga Prof. Dr. Evda Veveçka, Prof. Dr. Eleni Nastas dhe Dr. (C) Jola Çini, në kuadër të projektit “Indeksi i Zhvillimit në Fëmijërinë e Hershme (ECDI2030): Aplikimi i tij në Shqipëri”, financuar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI).
Falënderojmë lektorët dhe të gjithë pjesëmarrësit për kontributin, angazhimin dhe diskutimet e vlefshme. Takime të tilla ndihmojnë në ndarjen e njohurive dhe në ndërtimin e një qasjeje të përbashkët për mbështetjen e zhvillimit të fëmijëve në Shqipëri.
