Klubi “Drejtësi dhe Mirëqeverisje”, nën kujdesin e pedagogut Prof. Erion Kristo dhe me drejtimin e vetë studentëve, organizoi dy debate interaktive, duke krijuar një hapësirë të hapur për shkëmbimin e ideve, argumentimin dhe reflektimin mbi çështje me rëndësi shoqërore.
Debati i parë, me temë “Zgjedhja: analiza dhe argumentet, emocionet apo ndikimi i shumicës?”, u drejtua nga studentet Kaltrina Muzikari dhe Nansi Janaqe. Diskutimi vuri në qendër mënyrën se si formohen vendimet dhe faktorët që ndikojnë në zgjedhjet individuale dhe kolektive.
Debati i dytë, me temë “Kuotat për gratë dhe pakicat në punë: a rrisin barazinë?”, u drejtua nga studentët Klejdi Shehi dhe Jori Toska, duke nxitur diskutime mbi barazinë e mundësive, përfaqësimin dhe drejtësinë në tregun e punës.
Të dyja debatet u karakterizuan nga një atmosferë dinamike dhe interaktive, me pjesëmarrje aktive të studentëve, argumente të ndryshme dhe këndvështrime që pasuruan diskutimin. Studentët patën mundësinë të shprehnin lirisht mendimet e tyre, të mbronin qëndrimet me argumente dhe të dëgjonin perspektiva të ndryshme.
Përmes këtyre nismave, Klubi “Drejtësi dhe Mirëqeverisje” synon të nxisë kulturën e debatit konstruktiv, mendimin kritik, komunikimin qytetar dhe përfshirjen aktive të studentëve në trajtimin e çështjeve që ndikojnë në shoqëri.
