Universiteti Barleti ishte bashkëorganizator i eventit “Harvesting Innovation with EIT Health – Addressing Albania’s Health Priorities”, që mblodhi në një tryezë të përbashkët aktorë nga akademia, industria e shëndetësisë, biznesi dhe ekosistemi i inovacionit.
Eventi u zhvillua në kuadër të EIT Community Hub Albania, duke vënë në pah rolin e EIT Health në mbështetjen e inovacionit dhe në zhvillimin e zgjidhjeve konkrete për sektorin e shëndetësisë në Shqipëri.
Në këtë aktivitet, kontribuan aktivisht dhe përfaqësues të Universitetit Barleti, si Michele Biring-Pani, Drejtuese e Biznesit për Barleti Medical Group, që moderoi një nga panelet dhe mori pjesë si paneliste në cilësinë e Drejtoreshës së Stamina (https://stamina.al/).
Po ashtu, Kejda Nuhu, Eksperte e Inovacionit dhe Drejtoreshë e Qendrës për Kërkim dhe Zhvillim Bridge në Universitetin Barleti, që ndau ekspertizën e saj mbi financimin e start-up-eve dhe inovacionin, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së sipërmarrjeve të reja dhe zhvillimit të ideve inovative në Shqipëri.
Përmes fokusit në EIT Health, një nga rrjetet më të mëdha europiane të inovacionit në shëndetësi, eventi theksoi mundësitë reale që Shqipëria ka për t’u integruar në ekosistemin europian të inovacionit.
Universiteti Barleti vijon të luajë një rol aktiv në zhvillimin e inovacionit në vend, duke u angazhuar në iniciativa që lidhin akademinë me tregun dhe kërkimin shkencor me zbatimin praktik.
