Universiteti Barleti mori pjesë në takimin fillestar (Kick-off Meeting) të projektit ndërkombëtar BLOOM, i zhvilluar në Itali, duke shënuar nisjen zyrtare të këtij bashkëpunimi të rëndësishëm ndërinstitucional.
Takimi mblodhi partnerët e projektit për të diskutuar objektivat kryesore, strukturën e paketave të punës dhe hapat e parë në zbatimin e aktiviteteve. Një vëmendje e veçantë iu kushtua zhvillimit të programeve të trajnimit në fushën e Smart Farming dhe Digital Agriculture, duke reflektuar rëndësinë në rritje të teknologjisë në sektorin agro-ushqimor.
Në këtë projekt, Universiteti Barleti kontribuon në mënyrë aktive, veçanërisht në identifikimin e nevojave për trajnim dhe në zhvillimin e moduleve për arsimin profesional (VET), me synim përmirësimin e kapaciteteve dhe aftësive në këtë sektor.
Projekti BLOOM synon të forcojë kompetencat në bujqësi dhe industri të lidhura me të, duke promovuar inovacionin dhe përdorimin e teknologjive moderne, si një përgjigje ndaj sfidave aktuale dhe të ardhshme të zhvillimit të qëndrueshëm.
Përfshirja e Universitetit Barleti në këtë iniciativë konfirmon angazhimin e tij në projekte ndërkombëtare dhe në avancimin e arsimit të orientuar drejt praktikës dhe inovacionit.
