Në javën e tretë të trajnimeve me maturantët, sot më dt 18 prill, në kuadër të projektin “Etika dhe Karriera - Të rinjtë kundër korrupsionit”, në kampusin I, Universiteti Barleti, priti maturantët e shkollës 26 Marsi nga Kavaja, të shoqëruar edhe nga 2 mësuese të kësaj shkolle.
Prezantimi filloi në orën 9.30 me një shpjegim të shkurtër të projektit, qëllimit, zbatimit dhe aktiviteteve të tij nga Fatjona Qurku.
Në pjesën e parë të trajnimit z. Erion Kristo, u shpjegoi nxënësve, për rreth 50 minuta, korrupsionin si fenomen, mënyrat e shfaqjes si dhe rolin aktiv që ata duhet të ndërmarrin kundër tij. Prezantimi teorik i këtij fenomeni negativ, i shfaqur që nga antikiteti, si dhe shembujt e ilustruar në Shqipëri por edhe më gjerë, i tërhoqën maturantët në dhënien e mendimeve dhe eksperiencave personale.
Në pjesën e dytë znj. Eurona Leka, vijoi prezantimin e konceptit “karrierë”, si zhvillohet ajo që në bankat e shkollës së mesme dhe cilat janë opsionet për një karrierë të suksesshmë me ndihmën e testit të personalitetit dhe të fabulës së lepurit. Prezantimi zgjati rreth 35 minuta, ku maturantët theksuan edhe rëndësinë e ndjekjes së një shkolle profesionale në vijim të një karriere të konsoliduar.
