Në kuadër të Projektit QAinAL, një projekt i bashkëfinancuar nga Programi Erasmus+ i Bashkimit Europian, i fokusuar në mbështetjen strategjike për fuqizimin e strukturave të sigurimit të brendshëm të cilësisë në institucionet private të arsimit të lartë në Shqipëri, u organizua në “Universiteti Barleti” në datat 17-18 shtator 2018 Tryeza e Rrumbullakët mbi finalizimin dhe përmbylljen e projektit QainAL.
Qëllimi i kësaj tryeze të rrumbullakët ishte diskutimi midis pesë universiteteve partnere në këtë projekt (Universiteti Epoka, Universiteti Europian i Tiranës, “Universiteti Barleti”, Universiteti i New York-ut në Tiranë dhe Universiteti Polis) dhe institucioneve kryesore mbështetëse të arsimit të lartë në Shqipëri mbi mbarëvajtjen e projektit, arritjet e tij, sigurimin e cilësisë, procesin e akreditimit institucional si edhe sfidat dhe perspektivat e arsimit të lartë në Shqipëri.
Aktiviteti u përshëndet nga Rektori i “Universiteti Barleti”, Prof. Dr. Marenglen Spiro, i cili theksoi në fjalën e tij rëndësinë e projektit në promovimin e sigurimit të cilësisë në institucionet e arsimit të lartë.
Profesor Spiro evidentoi se kjo tryezë e rrumbullakët do të shërbejë për të forcuar më tej mekanizmat e sigurimit të brendshëm të cilësisë, nëpërmjet ndarjes së eksperiencave më të mira të partnerëve dhe identifikimin e mundësive për përmirësime të mëtejshme.
Diskutimi vijoi më pas me fjalën e Prof. Peter Eckl, nga Universiteti i Salzburgut në Austri, universiteti drejtues i këtij projekti, mbi rëndësinë dhe vlerën e tij për secilin nga universitetet përfituese.
Sipas axhendës Z. Egest Gjokuta, përfaqësues i Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sportit, mbajti një prezantim të shkurtër mbi impaktin dhe përfitimet në arsimin e lartë në Shqipëri të projekteve të edukimit, sipas perspektivës së Ministrisë së linjës.
Me interes ishin edhe prezatimi i Znj. Aida Breti, Drejtoreshë e zyrës së ERASMUS+ në Shqipëri mbi rolin e Zyrës së ERASMUS + në projektet e Edukimit si edhe prezantimi i Prof. Dr. Agostino Massa, nga Universiteti i Xhenovës në Itali, mbi planet e veprimit të cilësisë dhe qëndrueshmërinë e tyre. E merr fjalën më pas Prof. Peter Eckl nga Universiteti i Salzburgut në Austri, dhe Znj. Luljeta Aliu, nga WUS Kosova, të cilët ndalen në vlerat e projektit dhe arritjet e tij në përgjithësi.
Dita e parë u mbyll me moderimin e Prof. Dr. Mariana Mocannu, nga Universiteti Politektnik i Bukureshtit, të diskutimeve midis universiteteve partnere mbi rëndëisnë e shtimit të rolit dhe të kontributit të studentëve në tërësi në sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri.
Gjatë ditës së dytë, më datë 18 shtator 2018, u realizuan prezantimet nga secili prej Universiteteve partnere mbi rezultatet, sfidat, problemet e hasura dhe praktikat më të mira të projektit QAinAL.
Për “Universiteti Barleti”, prezantimi u realizua nga Drnt. Eurona Leka, MA, në cilësinë e Koordinatores së Projektit.
Një vend të veçantë, gjatë ditës së dytë, iu kushtua vizitës monitoruese nga Zyra e ERASMUS+ në Tiranë.
Gjatë kësaj vizite diskutimet nxorrën në pah dhe disa nga sfidat kryesore me të cilat hasen institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri, si mungesat në kuadrin ligjor, nevoja dhe domosdoshmëria e një kulture të re për vetvlerësim, studimet profesionale dhe mundësitë e punësimit të studentëve në përfundim të ciklit të studimeve. U theksua gjithashtu rëndësia e forcimit të Universitetit Shtetëror, pasi vetëm në këtë mënyrë do të krijohet një klimë e vërtetë konkurrence midis institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë.
Ky projekt dhe arritjet e tij do të shërbejnë si një mundësi për të kontribuar në zhvillimin dhe përmirësimin e strukturave, politikave dhe institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri.