Në kuadër të projektit ERASMUS +, financuar nga Komisioni Evropian, më titull “Mbështetje Strategjike në forcimin e strukturave për sigurimin e cilësisë në institucionet jopublike të arsimit të lartë në Shqipëri” (QainAL), “Universiteti Barleti”, u përfaqësua në vizitën studimore, në Universitetin e Xhevonas, Xhenova, Itali në datat 11-13 korrik 2017 nga pedagogia: Eurona Leka, në cilësinë e Koordinatores së Projektit.
Vizita, e tretë në rradhë, ofroi një trajnim intensiv tri-ditor mbi praktikat dhe sistemet e përdorura nga ky universitet mbi sigurimin e cilësisë, kërkimin shkencor, mënyrën e vlerësimit të kërkimit si edhe procedurat e vlerësimit në lidhje me kërkimin, gjithashtu në fokus të këtij trajnimi ishte edhe përgatitja e planit të veprimit mbi sigurimin e cilësisë së instituioneve të arsimit të lartë.
Gjatë ditës së parë pjesmarrësit u njohën me ambientet e Universitetit, me procedurat e vlerësimit të kërkimit shkencor si edhe me sfidat dhe implementimin e kërkimit shkencor në Institucionet e arsimit të lartë. Vijuan më pas prezantimet mbi analizën SWOT mbi sigurimin e cilësisë. Për “Universiteti Barleti”, prezantimi mbi këtë aspekt u realizua nga pedagogia Eurona Leka.
Gjatë ditës së dytë trajnimi kishte në fokus planet e veprimit mbi sigurimin e cilësisë për secilin nga institucionet, i cili u shoqërua me sjelljen e rasteve konkrete nga institucionet pjesmarrëse. Trajnimi vijoi me prezantimin nga Universiteti i Xhenovas mbi standardet për sigurimin e cilësisë për institucionin dhe për programet e studimit. Trajnimi përfundoi me një sesion brainstorming, gjatë të cilët insitucionet u ndanë në grupe dhe diskutuan mbi output-et e sigurimit të cilësisë; mënyrat për t’i shtuar; indikatorët e përshtatshëm për sigurimin e cilësisë; incentivat e kërkimit dhe fondet e nevojshme. Prezantimi i gjetjeve të grupit për “Universiteti Barleti” u realizua nga pedagogia Eurona Leka.
Gjatë ditës së tretë trajnimi përfshinte aspektin e zhvillimit dhe të përmirësimit të pyetsorëve të vlerësimit të mësimdhënies dhe përvijoi me një diskutim nga secili nga Institucionet e pranishme në lidhje me mënyrën e vlerësimit dhe tipologjinë e pyetsorëve të përdorur.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga të gjitha Universitetet partnere (“Universiteti Barleti”, Universiteti Europian i Tiranës, Universiteti i New York-ut, Universiteti Polis, Universiteti Epoka), gjithashtu pati përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Sportit si edhe nga Agjensia e Akreditimit.
Takimet konkluduan me prezantime nga Universitetet përfituese mbi kapacitetet aktuale dhe përmirësimet e nevojshme në kuadrin e projektit me fokus kryesor sigurimin e cilësisë në mësimdhënie dhe kërkim shkencor.