Universiteti Barleti, në bashkëpunim me kompaninë ARPAD Partners, është përzgjedhur fitues në thirrjen për Projektet e Teknologjisë së Informacionit (PTI) nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), me projektin “Transformimi dixhital i kompanisë ARPAD Partners: Rritja e kapaciteteve dhe propozimi i zgjidhjeve të personalizuara”.
Projekti synon të mbështesë kompanitë e vogla dhe të mesme në procesin e dixhitalizimit, duke testuar zgjidhjet e propozuara fillimisht në kompaninë ARPAD Partners. Nëpërmjet analizës së sfidave aktuale, propozimit të zgjidhjeve të personalizuara dhe rritjes së kapaciteteve të stafit, synohet ngritja e një modeli të suksesshëm që mund të adoptohet edhe nga biznese të tjera.
Kjo nismë është në përputhje me objektivat e Agjendës Dixhitale të Shqipërisë dhe strategjive kombëtare për inovacionin dhe zhvillimin e biznesit, duke kontribuar drejtpërdrejt në përmirësimin e konkurrueshmërisë dhe efikasitetit në tregun shqiptar.