
Fakulteti i Ekonomisë, Qeverisjes dhe Drejtësisë në Universitetin “Barleti”, me iniciativën e Dekanes së Fakultetit Prof. Assoc. Dr. Zamira Çavo, organizoi takimin e parë të Ciklit të Debateve Akademike “Europa dhe Ne”.
Referuesja kryesore e këtij takimi të parë, pedagogia e Departamentit të Drejtësisë, Dr. Jonida Begaj, solli një analizë të detajuar të Impaktit të Asociimit në Anëtarësimin në BE bazuar në faktorët politik, historik të kohës si dhe veçoritë e shteteve që kanë përshkruar më parë rrugëtimin që po përshkruan aktualisht Shqipëria drejt BE-së duke paraqitur një kuadër bazë krahasimor mbi të cilin u ngrit ky debat i parë akademik.
Debati u zhvillua në një këndvështrimi kritik duke ngritur për diskutim çështje si:
• A siguron asociimi anëtarësim, a është anëtarësimi një e drejtë që duhet kërkuar?
• A është hapja e negociatave një hap i sigurt drejt anëtarësimit? A është anëtarësimi procedurë apo vullnet politik?
• Sa e ka kapacitetin negociues Shqipëria për tu bërë anëtare e BE-së duke ruajtur interesin kombëtar?
• A duhet të anëtarësohet Shqipëria në BE në kushtet aktuale?
Në këtë debat pedagogët e Universitetit “Barleti” diskutuan rreth eksperiencës së anëtarësimit të vendeve të ndryshme që përbënin modele të mira krahasimore për rastin e Shqipërisë.
Dr. Elona Bano përcolli një analizë të detajuar të situatës aktuale të kapaciteteve të administratës shqiptare negociatore me BE-në duke evidentuar arritjet dhe nevojat e saj për tu bërë më efektive. Dr. Bano vlerësoi gjithashtu impaktin jo efektiv të reformës në drejtësi në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Ndërsa Dr. Ismail Tafani solli shembuj të argumentave që mund të përdoren nga ana e Shqipërisë për të përforcuar kapacitetin negociues me BE-në.
Kështu Universiteti “Barleti” nisi me sukses ciklin e Debateve Akademike “Europa dhe ne” i cili do të pasohet nga takime të tjera periodike, ku synohet të zhvillohet edhe më tej debati në nivel akademik jo vetëm brenda UniBa por edhe më gjerë.
