Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Universitetit Barleti dhe Bashkisë Pogradec, u zhvillua një workshop i fokusuar në projektimin e qëndrueshëm dhe zhvillimin territorial, duke u ofruar studentëve mundësinë për të ndërthurur njohuritë akademike me sfidat reale të territorit.
Workshopi u përmbyll me prezantimin e projekteve studentore përpara përfaqësuesve të Bashkisë Pogradec, përfshirë Nënkryetarin e Bashkisë, njëkohësisht Drejtor i Urbanistikës, si dhe Sekretarin e Përgjithshëm.
Përmes propozimeve të tyre, studentët sollën ide inovative që synojnë të ndërthurin trashëgiminë arkitektonike, peizazhin natyror dhe ekonominë lokale, duke kontribuar në krijimin e perspektivave të reja për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit.
Në vlerësim të punës, kreativitetit dhe angazhimit të studentëve, kantina CACO Pogradec shpërbleu grupet pjesëmarrëse me çmime simbolike.
Ky aktivitet dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe institucioneve vendore, duke e kthyer procesin e të nxënit në një përvojë praktike dhe duke nxitur përfshirjen aktive të studentëve në zhvillimin e komunitetit.
