Instituti Shqiptar për Çështje Publike (AIPA) dhe Universiteti Barleti (UniBa) kanë punuar në mënyrë intensive për të krijuar Platformën ARIO (Ambassadors and Representatives of International Organizations) e cila është një platformë e hapur, informuese, konsultative dhe interaktive ndërmjet Studentëve dhe Stafit Akademik të Universitetit Barleti nga njëra anë, dhe Ambasadorëve e Përfaqësuesëve të Organizatave Ndërkombëtare prezente në Shqipëri nga ana tjetër.
Platforma ARIO synon që përmes diskutimit të drejtpërdrejtë dhe të hapur të krijojë një kuptim më të mirë të pritshmërive të të rinjve shqiptarë në lidhje me perspektivën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe jo vetëm. ARIO gjithashtu ka si synim që të kontribuojë në rritjen e pranueshmërisë dhe kuptimit të diversitetit kulturor dhe ekonomik që ekziston sot në një botë të globalizuar, madje edhe përtej zonës së Bashkimit Europian, pasi në ditët e sotme gjithçka është vetëm një klikim larg.
Nga ana tjetër, përmes Platformës ARIO komuniteti ndërkombëtar që jeton dhe punon në Shqipëri do të arrijë të kuptojë më mirë nevojat dhe aspiratat e rinisë shqiptare përmes diskutimeve, konsultimeve si dhe bashkëbisedimeve të drejtpërdrejta me ta.
Në këtë kuadër, në kampusin e ri të Universitetit Barleti, Platforma ARIO u lançua sot, datë 14 shtator 2021, nga Rektorja e Universitetit Barleti, Prof.Dr. Suzana Guxholli, dhe Drejtori Ekzekutiv i Institutit AIPA, Amb. Gilbert Galanxhi, me prezencën e të ftuares së nderit, Ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shkëlqësisë së Saj, zonjës Yuri Kim.
Përgjatë fjalës së saj, Amb. Kim u theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbështetur dhe vijojnë të mbështesin Shqipërinë, si një vend aleat i saj, në tre drejtime kryesore që lidhen me Shtetin e së Drejtës dhe Demokracinë; Sigurinë dhe Mbrojtjen; si dhe zhvillimin ekonomik dhe biznesin. Gjithashtu, Amb. Kim përgjatë bashkëbisedimit me studentë të pranishëm në këtë aktivitet u shpreh ndër të tjera së Shqipëria ka qenë dhe është një vend Europian dhe që SHBA do të mbështesë një aleat si Shqipëria në rrugen drejt Integrimit Europian.
Platforma ARIO do të vijojë çdo muaj me zhvillimin e aktiviteteve me Ambasadorë dhe Përfaqësues të Organizatave Ndërkombëtare prezente në Shqipëri, të cilat do të kenë në fokus zhvillimin e bashkëbisedimit dhe forcimin e dialogut me studentët dhe të rinjtë.
Për çdo informacion shtesë, ju lutem kontaktoni Institutin Shqiptar për Çështje Publike (AIPA), në adresën e E-mail: [email protected].
English Version