Themeluesi i Top Media, Z. Dritan Hoxha, u nderua me titullin e nderit - “Doctor Honoris Causa”- nga Universiteti Barleti për shpirtin dhe arritjet sipërmarrëse të tij në dixhitalizimin e mediave private në Shqipëri.
Në fjalën e saj, Rektorja e UniBa shprehet:
“Zoti Hoxha është një sipërmarrës që bëri histori në botën e biznesit, novacionit dhe sipërmarrjes shqiptare. Ai i dha tregut shqiptar një produkt të ri, ai hapi në historinë e medias shqiptare, kontributin e fjalës së lirë nëpërmjet medias private. Ai arriti të bëjë realitet ëndrrën e tij të madhe në shërbim të fjalës së lirë. Në shërbim të një mënyre të re komunikimi dhe në hapjen e një epoke dixhitale në botën e medias shqiptare”- tha Suzana Guxholli.
Për këtë arsye, senati I UniBa vendosi të mishërojë shpirtin, iniciativat, misionin sipërmarrës, të këtij universiteti, nga një sipërmarrës i shquar e I spikatur në një fushë shumë të vecantë dhe delikate siç është informimi I popullit.
Në podium u ftua Z. Denis Dyrnjaja për tërheqjen e titullit.
“Është kënaqësi e jashtëzakonshme për mua. Privilegj gjithashtu që të marr këtë titull në emër të familjes Hoxha. Shpreh falenderimin e tyre dhe mirënjohjen gjithashtu. Është një titull që ndoshta duhet të ishte më i parakohshëm, sepse meritat për këtë njeri janë të jashtëzakonshme për atë që ka krijuar në Shqipëri. Për atë që na ka krijuar ne në të gjitha dimensionet. Jo vetëm në dimensionin e biznesit. Jo vetëm në dimensionin e medias, por edhe në dimensionin kulturor në hapësirat mbarëshqiptare
Në qoftë se Tani do ishte këtu vetë do thoshte që ky është çmimi i Top Medias. Ai ishte një njeri shumë modest. E ndante suksesin me të tjerët. Me ne që ishim pjesë e familjes së tij. Topi nuk është më i imi. Topi është i shqiptarëve.
Kështu që mjaftojnë vetëm këto fjalë për të kuptuar dimensionet e këtij njeriu të jashtëzakonshëm që ishte një nder për ne që punuam dhe gëzojmë emrin e Top Medias, Top Channel, Digitalb, Top Albania Radio që ishte pema e parë ku lindi e gjithë kjo familje mediatike”- tha Denis Dyrnjaja.
Kontributi i Dritan Hoxhës në komunikim, në një epokë të ndryshme nga kjo që jetojmë sot, ishte motivacioni që Universiteti Barleti shoqëroi titullin:
Motivacioni: “Për kontribut të shquar në digjitalizimin e medias audiovizive dhe si pioner që revolucionarizoi dhe transformoi komunikimin duke respektuar fjalën e lirë”.