Më 16 shtator 2026, në Resort Rafaelo, Shëngjin, u zhvillua Takimi Rajonal i Komunitetit të Praktikës LEAP, me temë “Rrugët drejt Punësimit në Turizëm dhe Mikpritje”, organizuar në kuadër të Programit LEAP, nën drejtimin e UNDP Shqipëri.
Universiteti Barleti, në cilësinë e partnerit zbatues, prezantoi përvojën dhe rezultatet e projektit të realizuar në Bashkinë Lezhë dhe Njësinë Administrative Kashar, nën drejtimin e Dr. Florina Pazari.
Në kuadër të projektit u trajnuan gjithsej 72 persona nga grupet vulnerabël, prej të cilëve 52 në Lezhë dhe 20 në Kashar. Aktivitetet u fokusuan në zhvillimin e aftësive profesionale dhe orientimin e pjesëmarrësve drejt mundësive të punësimit në sektorin e turizmit dhe mikpritjes.
Takimi bëri bashkë përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore, zyrave të punësimit, qendrave të formimit profesional, partnerëve zbatues, sektorit privat dhe përfituesve të programit.
Përmes diskutimeve dhe shkëmbimit të përvojave, pjesëmarrësit ndanë praktika të mira, sfida dhe qasje konkrete për forcimin e lidhjes mes formimit profesional dhe tregut të punës, duke kontribuar në krijimin e rrugëve më të qëndrueshme drejt punësimit dhe përfshirjes sociale.
