"Kushtetuta e 1998, është dhe mbetet një kushtetutë shumë e mirë, për shkak të kontributeve të shquara profesionale, procedurës së ndjekur, por problemi më i madh lidhet me zbatimin e saj. Nuk është kushtetuta që ka formësuar politikën, por politika e ka riformësuar kushtetutën nëpërmjet shmangieve dhe modifikimeve të normave të saj"- ky ishte përfundimi i shumë prej folësve të nivelit të shquar të Forumit 10 vjet kushtetutë, bilanc dhe perspektivë. Forumi u organizua nga Universiteti Barleti me rastin e dhjetëvjetorit të hyrjes në fuqi të së parës kushtetutë demokratike në Shqipëri 10 vjet më parë në 28 nëntor 1998 hyri në fuqi e para kushtetutë demokratike e Shqipërisë. Ajo mbylli përpjekjet e nisura që nga fillimi i tranzicionit dhe gjithë procesin e reformimit kushtetues në Europën Lindore në kuptimin se ishte kushtetuta e fundit e miratuar sipas standarteve demokratike. Dhjetë vjet më pas kishte ardhur koha të bëhet një bilanc i saj.
Cilat kanë qenë normat që kanë treguar qëndrueshmëri; cili ka qenë kontributi i saj në formësimin institucional të Republikës, thelbi i ndryshimeve që ajo ka njohur dhe cila është perspektiva e saj- tha Mentor Nazarko, njeri nga organizatorët e forumit. Për të diskutuar rreth këtyre momenteve, Universiteti Barleti ftoi në një forum të hapur ekspertët më të mirë kushtetues të vendit, si dhe politikanë apo opinionistë të përfshirë në procesin e miratimit apo në debatet publike rreth kushtetutës. "Barleti ka në bordin themelues të tij disa nga personalitetet më të rëndësishme që shenjuan procesin e miratimit të kushtetutës së vendit. Sabri Godo ka qenë njëri nga dy bashkëkryetarët e Komisionit ad hoc të miratimit të kushtetutës; Rexhep Meidani ka qenë presidenti që ka hedhur firmën si kryetar shteti, e nevojshme për hyrjen në fuqi të saj, ndërsa profesor Luan Omari është eksperti kushtetues më me eksperiencë.
Njeherazi, Instituti i Studimeve Barleti që ka filluar të funksionojë pranë këtij universiteti, drejtohet nga personalitete te fushes dhe me eksperience te gjate"tha rektori i Universitetit Barleti, profesor Niko Dhamo. Duke konsideruar presionin partiak për ta prekur kushtetutën në funksion të koniunkturës së procesit politik, ndryshimet e fundit që ajo ka njohur në të cilat nuk është konsideruar mendimi profesional, ky forum synonte të përçonte në debatin publik ide ekspertësh, si dhe të bënte njëlloj bilanci rreth ecurisë së kushtetutës dhe qëndrueshmërisë së saj gjatë proceseve politike të tranzicionit," tha Mentor Nazarko, drejtor i Qendrës së Studimeve rajonale, pranë Institutit Barleti. Seanca me moderimin e Profesor Luan Omarit u hap me ligjëratën e zotit Arben Imami, ish bashkëkryetar i Komisionit Kushtetues. Ai përgjithësisht evidentoi ato që ai i quajti problemet më të mëdha të kësaj kushtetute dhe ligjeve apo mënyrës së zbatimit të saj. Ai u shpreh mjaft kritik ndaj punës së Gjykatës Kushtetuese, ligjit organik të saj, si dhe u pozicionua hapur pro idesë së dy Dhomave. "10 vjet kushtetutë, pikat e forta dhe të dobta" ishte titulli i referimit të zotit Kristaq TRAJA, ish gjyqtar i Gjykatës Europiane të Strasburgut". Traja tha se "ndryshimet e fundit kushtetuese nuk ishin të diktuara nga nevoja zhvillimi" dhe se "aktiviteti institucional është i përqëndruar në një mënyrë paksa të ekzagjeruar në të ashtuquajturin "hartim ligjesh". Pandeli MAJKO, ish kryeministër i qeverisë gjatë të cilës u miratua kushtetuta mbajti referatin me titull "Roli i ekzekutivit në procesin e miratimit", ku evidentoi disa nga arsyet pse atëherë u preferua një institucion i fortë kryeministror. Skënder GJINUSHI, ish kryetar i parlamentit, trajtoi kuadrin kushtetues për zgjedhjet dhe evoluimin e tij.
Ai vlersoi sistemin aktual zgjedhor, ndërsa konsideroi si "të vdekur të virgjër" sistemin e parashikuar nga Kushtetuta në vitin 1998.. Sipas tij ai nuk pati kohë të zbatohej dhe u shmang qëllimisht prej politikës. Perikli Zaharia, anëtar i Gjykatës së Lartë, u shpreh pro idesë së reduktimit të imunitetit për deputetët dhe gjyqtarët. Andrea STEFANI , opinionist i njohur trajtoi reformen kushtetuese te 2008, si reformë që kushtëzon lirinë duke u shprehur në mënyrë kritike për to. Adri Nurellari i Institutit Liberal mbajti ligjëratën me titull "Konstitucionalizmi, despotët e ndritur dhe sundimi absolut". Në fund të fjalës së tij , nisur nga situata aktuale në Kosovë, ai vuri theksin tek preambula e Kushtetutës që i kërkon shtetit shqiptar përkujdesje për statusin e bashkëkombasve tanë jashtë vendit. Duke e mbyllur Forumin, Profesor Luan Omari, vlersoi Kushtetutën e 1998 duke evidentuar nivelin e lartë të kontribuesve, në veçanti atë të Komisionit të Venecias. Ai u shpreh kundër ekzistencës së Dy dhomave, dhe tha se "kushtetuta në përgjithësi e ka treguar veten e saj".