Studentë të departamentit të Shkencave Politike në “Universiteti Barleti” marrin pjesë në konferencën studentore “Problems, Challenges, and Innovations of Economic Growth and Welfare Improvement in Albania”. Kjo konferencë u organizua nga Nehemiah Gateway University në bashkëpunim me Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, Universitetin “Fan Noli” i Korçës, Qendra “Franklin” dhe “Universiteti Barleti”.
Në konferencë ku merrnin pjesë edhe studentë nga vende të tjera, u debatuan tema interesante ku të rinjtë shpalosën idetë e tyre mbi problematika aktuale. “Universiteti Barleti” u përfaqësua me dy punime dinjitoze. Studentet e vitit të parë Elena Gjinaj dhe Maila Koci, trajtuan raportin e politikës me ekonominë, ku sipas tyre politika merr dhe duhet të marrë gjithnjë përparësi. Studentet ishin të mëndimit që partneriteti publik privat dhe koncensionet ekonomike nuk janë gjëja më e mirë që i duhet vendit. Ndërsa, studentja e vitit të tretë Ohrdia Jacelli, trajtoi problemin e modeleve të edukimit në periudhën aktuale, duke vënë theksin në bashkëpunimin studentor, gjallërimin e jetës dhe krijimin e modeleve të reja edukuese.
Me interes u pritën edhe punimet e studentëve nga Universitete e tjera, të cilët trajtuan problemet e turizmit në Pogradec, problemet e integrimit në BE, apo dhe ato të promovimit të vlerave të trashëguara.
Konferenca u organizua në mjediset e Universitetit Nehemiah Gateway nën një frymë bashkpunimi dhe interesi të ndërsjelltë. Në fund u vendos që ky bashkpunim të vazhdonte duke e shndërruar këtë model në një model institucional. Vitin e ardhshëm kjo Konferencë do të zhvillohet në mjediset e “Universitetit Barleti”.