Më datë 24 tetor 2017, u mbajt takimi i parë i Auditorit të Hapur, me temë Integrimi evropian në kohë krize
Hapja informuese u bë nga Dr. Elda Zotaj, pedagoge dhe studiuese e çështjeve të integrimit evropian, e cila diskutoi mbi skenarët e mundshëm të zhvillimit të Bashkimit Evropian, situatën aktuale të BE-së dhe disa nga arsyet kryesore të kësaj ‘krize’. Në këndvështrimin e saj konstruktiv, pikëpyetjet që qëndrojnë sot mbi ecurinë e Bashkimit Evropian janë më tepër sfida sesa një krizë e mirëfilltë e integrimit evropian, pasi ajo çka është arritur nuk mund të zhbëhet.
Më pas pyetjet dhe diskutimet u moderuan nga Dr. Dorian Jano, drejtues i katedrës Zhan Mone. Gjatë diskutimeve të pedagogëve dhe studentëve, u vlerësuan arritjet e deri tanishme të integrimit evropian, sidomos në aspektin e paqes në kontinent, dhe zhvillimit ekonomik, pavarësisht se shpeshherë këto arritje merren të mirëqena. Në lidhje me integrimin e vendit në Bashkimin Evropian u diskutua mbi përfitimet dhe avantazhet e ndërsjellat që ka procesi i integrimit. Ndër shqetësimet kryesore u theksua mungesa e një qartësie sesi do të jetë Evropa e të nesërmes si dhe cilat politika do të ishin më frytdhënëse për të përballuar me sukses të gjitha sfidat që po kalon sot integrimi evropian.
Auditori i Hapur, ju mirëpret të martën tjetër në po të njëjtën orë dhe sallë, për të diskutuar rreth çështjes së Open Innovation si një instrument për krijimin e Ekonomisë së Dijes.