Më datë 22 prill 2016, studentët e programit të studimit në Shkenca Politike të Universiteti "Barleti", të shoqëruar nga Prorektorja Prof. Ass. Dr. Zamira Çavo dhe pedagogët Prof. Ass. Reis Mulita, Eurona Leka, MA, Fatjona Qurku, MA dhe Xhuljeta Krasta, MA. morën pjesë në Konferencën e përbashkët studentore, të zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin Ndërkombëtar të Strugës.
Kjo konferencë e parë e këtij lloji kishte në fokus, jo vetëm forcimin e marrëdhënieve midis dy institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri dhe Maqedoni, por edhe promovimin e punës shkencore të studentëve si dhe aftësimin e tyre në çështje konkrete që na prekin të gjithëve, si mirëqeverisja, reformat, bashkëpunimet rajonale, etj.
Fjala e mirëseardhjes u mbajt nga Kryetari i Bordit, Prof. Dr. Armend Kadriu, i cili ndër të tjera tha se të dy insitucionet kanë një mision të përbashkët, jo atë të të dhënit diploma por atë të përgatitjes së njerëzve të ditur, plot ide dhe vizione, që të mund të luftojnë me kohën.
Prof. Ass. Dr. Zamira Çavo, në cilësinë e Prorektores së “Universiteti Barleti”, theksoi se: “Ne shqipëtarët e kemi të nevojshme që të forcojmë identitetin tonë, të bashkëpunojmë në çdo projekt në mënyrë që të dyja institucionet së bashku të bëjnë krenar emrin shqipëtar…”
Gjithashtu kjo konferencë u përshëndet edhe nga Doc. Dr. Shpëtim Cami, i cili vlerësoi angazhimin e të gjithë pjesëmarrësve.
Më pas, për rreth dy orë, vijuan prezantimet e punimeve të tyre shkencore 13 studentët nga të dy universitetet në fushat e drejtësisë, shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Tematikat e larmishme të prezantimeve preknin çështje si:
“Demokracia shqiptare dhe problemet e saj” e prezantuar nga Eluar Gjika student i vitit të I-rë në UB,
“Vetëqeverisja lokale në Maqedoni me rast studimor Komunën e Strugës” u prezantua nga Ilda Dule e Universitetit Ndërkombëtar të Strugës,
Tema e shumë diskutuar e partive politike dhe “partia që unë dua” u prezantua nga studentet e vitit të II në UB Rexhina Merko, Sara Koka dhe Anxhela Gjyla,
“Bosnja dhe proktetoriati i saj ndërkombëtar” u prezantua nga Fatjona Istrefi-UNS,
‘Bashkëpunimi ndërkufitar Shqipëri - Maqedoni” u prezantua nga studentet e UB-së Klaudja Picari dhe Mihaila Musha,
“Kriza Greke dhe roli i Gjermanisë në përballimin e saj” u prezantuar nga Irini Kace-UNS,
“Trashëgimia kulturore shqiptare” u prezantua nga studentja e vitit të I e programit shkenca politike në UB, Paola Ymeri
“Marrëdheniet midis Greqisë dhe Turqisë, problemi i Qipros” u prezantua nga Borana Mbjeshova e UNS,
“Roli i Putinit në marrëdhëniet ndërkombëtare të Rusisë” - Albina Berisha UNS.
Refereruesit iu përgjigjen edhe pyetjeve të studentëve pjesëmarrës nga salla.
Në fund të konferencës studentët u vlerësuan me një çertifikatë pjesëmarrjeje për përkushtimin e treguar dhe përgatitjen e tyre akademike në fushën e shkencave politike.
Aktiviteti i asaj dite vijoi me vizitat studimore në qytetet e Strugës, Ohrit dhe Shën Naumit.