Në ambientet e Njësisë Administrative Kashar u zhvillua ceremonia e shpërndarjes së certifikatave për përfituesit e trajnimit profesional “Shërbime në Mikpritje dhe Hoteleri”, realizuar në kuadër të projektit “PATH – Inclusive Skills for Tourism and Hospitality”, në bashkëpunim me UNDP Albania.
Aktiviteti shënoi përmbylljen e një cikli të rëndësishëm trajnimi, gjatë të cilit 20 përfitues zhvilluan njohuri dhe aftësi praktike në fushën e turizmit dhe mikpritjes, me synim rritjen e mundësive të tyre për punësim dhe integrim në tregun e punës.
Në ceremoninë e zhvilluar ishte e pranishme edhe Menaxherja e Programit LEAP pranë UNDP Albania, Znj. Mirjeta Ramizi, e cila, së bashku me përfaqësuesit e Universitetit Barleti dhe Njësisë Administrative Kashar, ndau certifikatat për pjesëmarrësit që përfunduan me sukses programin e trajnimit.
Një moment i rëndësishëm i aktivitetit ishte edhe këshillimi për karrierë, gjatë të cilit përfituesit morën orientim mbi mundësitë e punësimit, përgatitjen për hyrjen në tregun e punës dhe mënyrat e prezantimit të aftësive të fituara gjatë trajnimit.
Ky aktivitet është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet Universitetit Barleti, UNDP Albania dhe Njësisë Administrative Kashar, e cila ka mbështetur zhvillimin e trajnimit duke mundësuar ambientet dhe duke qenë pranë përfituesve gjatë gjithë procesit.
Për Universitetin Barleti, përfundimi i këtij trajnimi nuk përfaqëson vetëm marrjen e një certifikate, por një hap konkret drejt fuqizimit profesional, rritjes së aftësive dhe krijimit të mundësive të reja për punësim, veçanërisht për individët që përballen me më shumë barriera në aksesin në tregun e punës.
