Universiteti Barleti dhe Universiteti i Arteve kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve akademike, kërkimore dhe krijuese mes dy institucioneve të arsimit të lartë.
Marrëveshja u nënshkrua nga Rektorja e Universitetit Barleti, Prof. Dr. Suzana Guxholli, dhe Rektori i Universitetit të Arteve, Prof. Dr. Erald Bakalli. Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë gjithashtu Dekani i Fakultetit të Shkencave të Aplikuara dhe Industrive Kreative në Universitetin Barleti, Prof. Asoc. Dr. Saimir Kristo, si dhe Drejtuesi i Departamentit të Industrive Kreative, Dr. Gerdi Papa.
Ky partneritet krijon një platformë të re bashkëpunimi ndërmjet Fakultetit të Shkencave të Aplikuara dhe Industrive Kreative në Universitetin Barleti dhe Fakultetit të Arteve të Bukura në Universitetin e Arteve, me synim zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e artit, dizajnit, arkitekturës, industrive kreative, edukimit dhe kërkimit aplikativ.
Përmes kësaj marrëveshjeje, studentët dhe stafi akademik i të dy universiteteve do të kenë mundësi të angazhohen në aktivitete të përbashkëta, shkëmbim eksperiencash, ekspozita, workshop-e, projekte krijuese dhe iniciativa që ndërthurin arsimin universitar me praktikën profesionale dhe jetën kulturore.
Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm në krijimin e sinergjive të reja ndërmjet universiteteve dhe në fuqizimin e rolit të artit, inovacionit dhe industrive kreative në zhvillimin e shoqërisë.
