Stafi akademik i Departamentit të Shkencave Kompjuterike të Universitetit Barleti mori pjesë në aktivitetin ndërkombëtar ETHIAI – Ethical and Human-Centered AI, të zhvilluar në Valencia, Spanjë, një iniciativë që bashkon universitete, kërkues, studentë dhe profesionistë të teknologjisë për të diskutuar zhvillimet më të fundit në fushën e Inteligjencës Artificiale, inovacionit dhe transformimit digjital.
Universiteti Barleti u përfaqësua nga Dr. Sokol Shurdhi, Dr. Luan Bekteshi dhe Erli Nurçellari, pedagogë të Departamentit të Shkencave Kompjuterike, të cilët morën pjesë në sesione trajnimi, diskutime akademike, aktivitete bashkëpunimi ndërkombëtar dhe iniciativa praktike të fokusuara në përdorimin etik dhe të përgjegjshëm të Inteligjencës Artificiale.
Një nga rezultatet më të rëndësishme të kësaj vizite ishte finalizimi me sukses i bashkëpunimit me institucionet partnere në Valencia për shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve në kuadër të programit Erasmus+. Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm për Universitetin Barleti, pasi krijon mundësi të reja mobiliteti dhe bashkëpunimi ndërkombëtar në një institucion me të cilin më parë nuk ekzistonte një marrëveshje bashkëpunimi.
Gjatë aktivitetit, përfaqësuesit e Universitetit Barleti morën pjesë edhe në ETHIAIthon, një hackathon ndërkombëtar i dedikuar zgjidhjeve inovative të bazuara në Inteligjencën Artificiale. Përfshirja në këtë aktivitet ofroi mundësi për shkëmbim eksperiencash, zhvillim idesh inovative dhe bashkëpunim me pjesëmarrës nga universitete dhe organizata të ndryshme europiane.
Pjesëmarrja në ETHIAI përforcon angazhimin e Universitetit Barleti për ndërkombëtarizimin, inovacionin teknologjik dhe zhvillimin e kompetencave të avancuara në fushën e Inteligjencës Artificiale. Gjithashtu, ajo kontribuon në zgjerimin e rrjetit të partneriteteve strategjike të universitetit dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik në fushat e Teknologjisë së Informacionit, Shkencave Kompjuterike, Inteligjencës Artificiale dhe transformimit digjital.
