Fakulteti i Shkencave Mjekësore organizoi workshop inovativ për studentët e infermierisë dhe fizioterapisë, i udhëhequr nga lektorët José Manuel Romero-Sánchez dhe Miriam Poza-Méndez nga Universiteti i Cádiz-it. Në qendër të këtij aktiviteti ishte integrimi i teknologjisë në formimin klinik, përmes përdorimit të AIVINA, një platformë e mbështetur nga inteligjenca artificiale për intervistim dhe vlerësim virtual.
Përmes kësaj platforme, studentët patën mundësinë të përballen me skenarë realë klinikë në një mjedis të sigurt dhe të kontrolluar, duke ushtruar vendimmarrjen dhe duke përfituar feedback të menjëhershëm. Kjo qasje interaktive nxiti mendimin kritik, bashkëpunimin dhe aftësinë për të analizuar situata komplekse në kohë reale.
Në kuadër të workshop-it, studentët u njohën gjithashtu me instrumente të standardizuara vlerësimi, si Indeksi Barthel dhe Shkalla Lawton–Brody, duke zhvilluar aftësi praktike në vlerësimin e pavarësisë funksionale të pacientëve në aktivitetet e përditshme.
Ky aktivitet pasqyron qartë transformimin që po pëson edukimi shëndetësor në epokën digjitale, ku inteligjenca artificiale po bëhet një komponent thelbësor i formimit profesional. Duke ndërthurur praktikat tradicionale klinike me teknologji të avancuara, studentët përgatiten për një realitet shëndetësor gjithnjë e më dinamik dhe të orientuar drejt inovacionit.
Në këtë linjë, Universiteti Barleti vijon të investojë në përvoja mësimore bashkëkohore, duke formuar profesionistë të aftë për të përballuar me kompetencë dhe përgjegjësi sfidat e sistemit modern të kujdesit shëndetësor.
