Më datë 10 qershor 2025, në ambientet e Universitetit Barleti u zhvillua me sukses Konsultimi Kombëtar për Përgatitjen e Inventarit të Substancave të Kontrolluara të Padëshiruara (ODS dhe HFC), një iniciativë me rëndësi të veçantë për angazhimin e Shqipërisë ndaj standardeve ndërkombëtare në mbrojtjen e mjedisit dhe klimës.
Konsultimi kishte si qëllim diskutimin, shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin ndërinstitucional për ndërtimin e një inventari të detajuar dhe të përditësuar të substancave të kontrolluara të ndaluara dhe që nuk përdoren më, përfshirë substancat që dëmtojnë shtresën e ozonit (ODS) dhe gazrat hidrofluorokarbon (HFC).
Takimi mblodhi përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, ekspertë të mjedisit, përfaqësues të sektorit privat, organizatave partnere dhe komunitetit akademik, të cilët kontribuan në mënyrë aktive për identifikimin e burimeve të mundshme të të dhënave, problematikave ekzistuese dhe mundësive për përmirësim të procesit të grumbullimit dhe menaxhimit të informacionit.
U theksua rëndësia e një procesi gjithëpërfshirës, transparent dhe të koordinuar, i cili jo vetëm ndihmon në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare, por gjithashtu krijon një bazë të qëndrueshme për politikëbërje mjedisore të informuar në nivel kombëtar.
Universiteti Barleti, si një institucion që mbështet nismat për zhvillim të qëndrueshëm dhe bashkëpunim ndërdisiplinor, ishte një mikpritës e partner i kësaj ngjarjeje. Aktiviteti shërbeu edhe si një platformë ndërveprimi për nxitjen e partneriteteve të reja ndërmjet aktorëve të përfshirë në sektorin mjedisor, akademik dhe teknik, me synim rritjen e kapaciteteve përballë sfidave klimatike.