Universiteti Barleti është përfshirë në numrin e fundit të revistës ndërkombëtare CSIT News Magazine 2024–2025, një nga botimet më të rëndësishme që dokumenton zhvillimet më të fundit në sportin gjithëpërfshirës, edukimin përmes lëvizjes dhe iniciativat sociale të financuara nga Bashkimi Evropian.
Artikulli i titulluar “The Magic of the Net” sjell në vëmendje kontributin e Universitetit Barleti në promovimin e aktivitetit fizik dhe bashkëpunimit ndërgjeneracional përmes lojës “Catch’n Serve Ball”. Kjo lojë, e integruar në shkolla publike shqiptare si pjesë e projekteve të bashkëfinancuara nga BE, ka përfshirë me qindra nxënës, mësues, prindër dhe anëtarë të komunitetit lokal, duke nxitur një mënyrë jetese aktive, gjithëpërfshirje sociale dhe pjesëmarrje të barabartë në aktivitete sportive dhe edukative.
Universiteti Barleti është përfaqësuar në këtë publikim si një shembull i suksesshëm i partneritetit ndërkombëtar, ku arsimi, sporti dhe komuniteti bashkëveprojnë në funksion të ndryshimit pozitiv. Ky projekt nënvizon gjithashtu rolin që Barleti ka marrë në nivel kombëtar dhe rajonal si promotor i inovacionit në edukim dhe përfshirje sociale përmes sportit.
Barleti – pjesë vitale e nismave inovative europiane – vazhdon të afirmohet si një qendër dinamike që sjell modele të reja dhe bashkëkohore në sistemin arsimor shqiptar, duke kontribuar në zhvillime me ndikim të gjerë në mjediset edukative dhe sociale.
[Lexoni artikullin e plotë në revistën CSIT këtu]