
Libri si udhëtim për të rinjtë
Në një realitet që vrapon pa pushim, libri mbetet vendi ku koha merr frymë dhe leximi është një nga aktet më të fuqishme për ndërtimin e mendimit kritik, ndjeshmërisë dhe shpirtit.
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Librit, studentët e Universitetit Barleti patën kënaqësinë të takonin autoren Dhurata Kasa, në një aktivitet të organizuar nga Klubi i Librit, nën drejtimin e Dr. Olta Murataj.
Znj. Kasa është një figurë me profil të dyfishtë: për vite me radhë ka qenë drejtuese dhe mësuese e gjuhës dhe letërsisë në arsimin parauniversitar, ndërsa njëkohësisht ka ndërtuar një krijimtari të pasur letrare në fushën e poezisë, esesë dhe prozës.
Autorja ka botuar disa vëllime poetike që prekin thellësisht ndjeshmërinë njerëzore, ndërsa së fundmi ka sjellë për lexuesin romanin e saj të parë, Granti – një hap i ri dhe i guximshëm në rrugëtimin e saj krijues. Nga ky takim mësuam se znj. Kasa është në procesin e përfundimit të romanit të saj të dytë, i cili vijon historinë e personazhit të Grantit, duke i dhënë një udhëtim të mëtejshëm letrar.
Takimi me të ishte jo vetëm një mundësi për të dëgjuar nga afër reflektimet mbi leximin dhe procesin krijues, por edhe një ftesë për studentët që të afrohen më shumë me fjalën e shkruar, të lexojnë më shpesh dhe të krijojnë me më shumë vetëbesim.
Të rinjtë lexojnë, reflektojnë dhe krijojnë – mjafton t’u japësh hapësirën e duhur.
