
Çështjet e dekriminalizimit, integritetit të zyrtarëve, vettingut dhe llogaridhënies ishin në qendër të forumit të hapur të organizuar nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) me studentët e drejtësisë në Universitetin "Barleti" në Tiranë.
Nën moderimin e Dr. Dorjana Pano, ekspertët Prof. Ervin Karamuço dhe Dr. Erion Kristo ndanë mendimet dhe analizat e tyre me thellësi profesionale. Një kontribut të veçantë në diskutim dha edhe Prof. Asoc. Elisabeta Imeraj, Shefe e Departamentit Juridik në UMB.
Gjatë forumit u trajtuan shqetësime konkrete, u prezantuan gjetje dhe u ofruan rekomandime lidhur me zbatimin e dekriminalizimit në Shqipëri, nevojën për integritet në procesin vendimmarrës dhe sfidat për ndërtimin e një politike dhe administrate të pastër.
Profesorë dhe studentë nga UniBa morën pjesë aktive në diskutime, duke treguar interes të lartë, veçanërisht në kontekstin e zhvillimeve aktuale elektorale në vend.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të një projekti të Institutit të Studimeve Politike (ISP), me mbështetjen financiare të National Endowment for Democracy (NED).
