
Klubi Studentor i Fakultetit të Shkencave Sociale, me fokus në Psikologji, Edukim dhe Punë Sociale, organizoi një event me temën “Balanca mes Shpresës dhe Realitetit: Lufta mes Emocioneve dhe Profesionalizmit”.
Ky event u realizua falë iniciativës dhe angazhimit të studentëve të Psikologjisë, të cilët jo vetëm që propozuan idenë, por edhe ftuan si të ftuar speciale Znj. Ludiana Dulaj, infermiere me përvojë të gjatë në menaxhimin e dhimbjes dhe kujdesin ndaj pacientëve. Gjatë fjalës së saj, ajo ndau me pjesëmarrësit rrugëtimin e saj profesional, duke theksuar sfidat e përditshme të një profesionisti të kujdesit shëndetësor në përballjen me dhimbjen, si fizike ashtu edhe emocionale.
Përmes përvojave të saj të çmuara, Znj. Dulaj vuri në pah rëndësinë e ndjeshmërisë, përkushtimit dhe qasjes së duhur në kujdesin ndaj pacientëve. Diskutimi i zhvilluar gjatë eventit ishte frymëzues dhe ofroi një perspektivë më të thellë mbi rolin thelbësor të profesionistëve të shëndetit në përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve.
Ky aktivitet shërbeu si një mundësi e vlefshme për reflektim mbi sfidat dhe përgjegjësitë e atyre që i përkushtohen mirëqenies dhe kujdesit ndaj të tjerëve, duke theksuar nevojën për të gjetur ekuilibrin mes profesionalizmit dhe ndjeshmërisë njerëzore.
