
Në kuadër të aktiviteteve të Zyrës së Karrierës dhe Klubit të Karrierës, sot u zhvillua një seancë e këshillimit të karrierës, ku studentët patën mundësinë të njiheshin nga afër me një nga partnerët e Universitetit Barleti, agjencinë e punësimit “Hireus”.
Studentët nga vite dhe programe të ndryshme të studimit u njohën me Agjencinë Hireus, duke marrë një panoramë të gjerë mbi ofertat aktuale të tregut të punës.
Gjatë këtij sesioni unik, CEO-ja e Hireus, znj. Ermelinda Ruka, ndau informacione të vlefshme me studentët, duke i njohur me mundësitë që ofron tregu i punës dhe me kërkesat kryesore të bizneseve dhe punëdhënësve. Ajo gjithashtu i orientoi studentët drejt realizimit të objektivave të tyre profesionale.
Në këtë kuadër, znj. Ruka prezantoi një listë të detajuar të pozicioneve të lira të punës që ofronte agjencia. Gjithashtu, u zhvillua një diskutim interaktiv, ku studentët ndanë mendimet, opinionet dhe problematikat me të cilat përballen gjatë kërkimit të një vendi pune, si dhe përcaktuan preferencat e tyre për pozicione pune të mundshme.
Ky aktivitet u vlerësua si një mundësi e shkëlqyer për studentët për t’u informuar dhe për të marrë udhëzime të drejtpërdrejta mbi hapat e tyre në tregun e punës.
