
Në kuadër të projektit “Edukimi i të rinjve dhe ndërtimi i karrierës së tyre përmes modelit “STEAM”, të zbatuar nga Instituti Adriapol - Smart and Creative Development dhe mbështetur nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC), u organizua Forumi “Let’s Talk Business”. Ky forum synon të afrojë të rinjtë me botën e biznesit dhe sipërmarrjes përmes orëve të hapura informuese.
Aktiviteti u drejtua nga ekspertja e njohur në fushën e sipërmarrjes, Aelita Mani, e cila ndau historinë e saj të suksesit, sfidat e përballuara dhe këshilla praktike për hapat e parë drejt krijimit të një biznesi. Diskutimet ofruan një pasqyrë mbi identifikimin e ideve inovative dhe përballimin e sfidave në tregun e punës, duke përfshirë nxënësit dhe mësuesit e gjimnazeve “Gjergj Canco”, “Herman Gmeiner”, “Kristaq Rama”, “Hafiz Ibrahim Dalliu” dhe “Meridian+”.
Qëllimi i aktivitetit ishte ndarja e historive të suksesit dhe përvojave konkrete, për të frymëzuar të rinjtë që të marrin iniciativa për vetë-punësim dhe të përgatiten për tregun e punës. Aktiviteti është pjesë e përpjekjeve për t’u ofruar të rinjve njohuri praktike dhe mundësi për zhvillimin e aftësive në fusha si shkenca, teknologjia, inxhinieria, artet dhe matematika (STEAM). Në këtë mënyrë, synohet të krijohen ura lidhëse mes të rinjve dhe tregut të punës, duke i pajisur ata me kompetencat e duhura për një të ardhme të suksesshme.
Përmes forumit “Let’s Talk Business”, të rinjtë patën mundësinë të eksplorojnë ide të reja dhe të ndihen të mbështetur për të ndërtuar karrierën e tyre në një mjedis inovativ dhe frymëzues.
