Me 24 - 25 Qershor 2015 u zhvillua në Universitetin Shtetëror të Tetovës Konferenca Rajonale e Magna Carta-s “Autonomia Universitare dhe vlera e saj për shoqërinë”, nga Konsorciumi Magna Carta Observatory, me seli në Bolonja të Italisë. Në Konferencë ishte i ftuar dhe “Universiteti Barleti” i cili u përfaqësua nga Rektori Prof. Dr. Marenglen SPIRO.
Në Konferencë mbajtën ligjërata të rëndësishme Arsim Bajrami, Ministër i Arsimit i Republikës së Kosovës, Abdylaqim Ademi, Ministër i Arsimit i Maqedonisë, Sijbold Noorda, Kryetar i Magna Carta Observatory, David Lock Sekretar i Përgjithshëm, Agneta Bladh dhe Martina Vukasoviç anëtare të Këshillit të Konsorciumit, të cilat u pasuan nga kumtesa mbajtur nga akademike e administratore me eksperiencë të Arsimit të Lartë në vende të ndryshme të Evropës.
U theksua roli i qeverive për të bërë politika të mira publike, të vendosin standarde e të bëjnë dhe ligje dhe në drejtim të krijimit të hapësirave vetëqeverisëse të Universiteteve, për rritjene shkallës së monitorimit të cilësisë në AL dhe për mosndërhyrjen në punët e universiteteve; ligjet për arsimin e lartë duhet të shkruhen nga profesorati dhe pushteti politik duhet të marrë masa për të mbështetur sa më shumë financiarisht universitetet. Nga ana tjetër, Liria Akademike dhe Autonomia Institucionale aq sa janë çështje të lidhura me shkallën e demokracisë në një vend, aq edhe përgjegjësi akademike e universiteteve për atë çka ju japin studentëve për formimin e tyre.
Ajo që ishte shumë e rëndësishme kishte të bënte me faktin se ligjërimet e autoriteteve të Konsorciumit Magna Carta Observatory ishin përfundime të vrojtimeve të radhës mbi aplikimin e Procesit të Bolonjës në Evropë, bërë në këtë Konferencë.
Me këtë rast, Rektori M.Spiro, u prit dhe zhvilloi biseda të rëndësishme me Rektorin e Universitetit Shtetëror të Tetovës Prof. Vullnet Ahmeti dhe Rektorin e Universitetit të Evropës Juglindore Prof. Zamir Dika, lidhur me bashkëpunimet midis institucioneve, projektet e mundshme të përbashkëta dhe shkëmbimin e studentëve me programet Erasmus+.