Kohët e fundit u mblodh në Stamboll Kongresi i 5-të Ndërkombëtar mbi përvijimet e sotme të Arsimit të Lartë me temë: “Gjenerata e Tretë e Universiteteve” me qëllim vendosjen e një bashkëpunimi afatgjatë dhe një partneritet strategjik midis universiteteve në fushën e Inovacionit dhe Sipërmarrjes.
Lidhur me synimet e veta në këto drejtime dhe veprimtaritë intensive në fushën e nxitjes së sipërmarrjes, “start up” të diplomantëve të rinj dhe inovacioneve nga dijet universitare, me ftesë të Universitetit “Fatih” të Stambollit dhe “Epoka” në Tiranë, në këtë Kongres u përfaqësua dhe “Universiteti Barleti” nga Rektori i tij Prof. Dr. Marenglen SPIRO.
Pas paraqitjes së tipareve të Gjeneratës së Tretë të Universiteteve nga Hans Wissema i Universitetit Teknologjik të Holandës, Kongresi trajtoi çështje të rëndësishme të profilit të sotëm universitar si “Inovacioni dhe Sipërmarrja në Gjeneratën e Tretë”, “Sfidat dhe Mundësitë për Sipërmarrje Akademike”, “Ekosistemi Akademik dhe Departamenti Teknopark”, etj. Institucioni ynë paraqiti në diskutime këndvështrimet e veta, eksperiencat e para të krijuara dhe vizionet e së ardhmes.
Me këtë rast, “Universiteti Matin Barleti” nënshkroi dhe Marrëveshjen e Bashkëpunimit me Universitetin “Fatih” të Stambollit lidhur me bashkëpunimin në këto fusha.