Me datën 13 dhjetor, 2014 në mjediset e kampusit 2 të “ Universiteti Barleti” u zhvillua testimi i gjuhës angleze, konform testeve të standardizuara të kompanisë së mirënjohur ndërkombëtarisht “Pearson Test of English”.
Ky proces u administrua nga Qendra e Trajnimit dhe Testimit “Barleti” (BTTC), si dhe Instituti i Edukimit “Barleti” (IEB), organizma ndërinstitucionalë të UB-së.
Në këtë proces morën pjesë 19 veta, nga të cilët 16 u testuan për nivelin B1, 2 veta për nivelin B2 dhe 1 për nivelin C1.
Të tria nivelet e testimit janë në përputhje me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve për Gjuhët e Huaja, ndërsa dëshmia që lëshon kompania “Pearson”, me qendër në Londër, njihet zyrtarisht në Shqipëri, në vendet e BE-së dhe ka vlerë të përhershme.
Procesi i testimit më gojë dhe më shkrim u drejtua nga pedadogu i njohur i gjuhës angleze në Shqipëri, prof.Gëzim Hadaj dhe nga prof. Vangjel Lili, të cilët janë të akredituar zyrtarisht për këtë shërbim arsimor nga kompania “Pearson”, kurse korrigjimi i testimeve kryhet nga qendra “Pearson” në Londër.
Ftojmë të gjithë të interesuarit që vijojnë studimet master dhe ato të doktoraturës, si dhe ata që aspirojnë një mësim bashkëkohor dhe të frytshëm të gjuhës angleze, të kontaktojnë në adresën e e-mailit [email protected] koordinatoren e këtij programi znj. Diantiana Zuna për t’u përfshirë në trajnimin dhe testimin e gjuhës angleze me standarde ndërkombëtare.