“Barleti” në bashkëpunim me Qendrën “Youth Act” vendosën disa ditë më parë t’i bashkohen nismës “Më shumë solidaritet për kë po humbet gjithçka!”, e ndërmarrë nga Bordi Drejtues i “Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile” (AMSHC) në Tiranë.
Situata tragjike në jug dhe juglindje të Shqipërisë shtyu klubet studentore të universitetit “Barleti” dhe të rinjtë vullnetarë të Qendrës jofitimprurëse “Youth Act” të ofrojnë fillimisht kontributin e tyre simbolik në ushqime dhe më pas këtë nismë ta përcillnin te të gjithë studentët dhe vullnetarë të tjerë të dy institutive të lartpërmendura.
Më datë 9 shkurt 2015, studentët dhe vullnetarët e angazhuar dorëzuan në mjediset e vëna në dispozicion nga AMSHC-ja, 250 pako me ushqime të ndryshme, rreth 1.5 ton, të cilat do të shpërndahen më pas tek familjet në nevojë nga Emergjenca Civile.
“Ndihemi sadopak krenarë që kemi dhënë ndihmesën tonë modeste për bashkëqytetarët tanë që kanë humbur gjithçka në këto ditë të ftohta dimri! Kontributi ynë nuk do të ndalet me kaq!
Ftojmë të gjithë studentët, institucionet e arsimit të partë publik e privatë, organizata të ndryshme jofitimprurëse të bashkohen me ne në nismën “Më shumë solidaritet për kë po humbet gjithçka!”
Mirëpriten të gjitha pakot me ushqime, veshmbathje, batanie, etj, brenda datës 13 shkurt 2015 në hollin kryesor të Universitetit Barleti, pranë digës së Liqenit Artificial të Tiranës.