Në datat 3 dhe 4 nëntor u zhvillua në Durrës, në Hotel “Adriatik”, Forumi i Parë Ndërkombëtar mbi temën e qytetit inteligjent - “Smart City”. Forumi u organizua me iniciativen e Forumit Adriapol, në bashkëpunim me Universitetin ”Barleti”, si edhe me mbështetjen e Këshillit të Ministrave.
Forumi “Smart City” kishte si qëllim të ofronte një platformë unike dhe interaktive për diskutime dhe debate sfiduese mbi çështjen, duke krijuar mundësinë për të mbledhur së bashku institucione publike dhe të pavarura, organizata vendore dhe ndërkombëtare. Kjo iniciativë krijoi bazat e një bashkëpunimi efektiv për të vënë në praktikë ide inovative nga teknologjitë e reja të infrastrukturës, dizajnit dhe teknikave të planifikimit për zhvillimin e rajonit në të ardhmen, si dhe integrimin e tij në Bashkimin Europian.
Forumi i nisi punimet me një temë shumë të rëndësishme për ndërtimin e qytetit inteligjent, pikërisht me Qeverisjen Inteligjente, për të cilën fjalën kryesore e mbajti kryeministri i vendit z. Edi Rama. Fjala e zotit Rama, për qeverisjen inteligjente dhe sfidat e vendit, sëbashku me urimet për punime të mbara të Forumit, u pasua nga Shkëlqesia e tij, ambasador i Italisë në Republikën e Shqipërisë, z. Massimo Gaiani dhe z. Francesco Cocco, Sekretar i Përgjithshëm i Eurorajonit Adriatiko - Jonik; Më pas dhanë një pamje të qyteteve të tyre dhe projekteve për të ardhmen z. Vangjush Dako, kryetar i Bashkisë së Durrësit; znj. Mimoza Kusari-Lila, kryetare e Komunës së Gjakovës; znj. Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës, dhe z. Ragmi Mustafa, kryetar i Komunës Preshevë. Tryeza u moderua nga znj. Esmeralda Hasani, njëkohësisht drejtoreshë e Forumit.
U shkëmbyen ide, mbi praktikat më të mira ndërkombëtare, të cilat mundësojnë ndërtimin e qyteteve inteligjente për një zhvillim të qëndrueshëm. U diskutua gjithashtu mbi politikat strategjike dhe bashkëveprimet ndërinstitucionale për një qytet të qëndrueshëm dhe inteligjent; zgjidhjet që ofrohen, mendimet e drejtuesve publikë dhe privatë, si dhe partnerëve të zhvillimit, me synim identifikimin e mundësive për një “qytet inteligjent” dhe “klimë inteligjente” të qyteteve që rriten çdo ditë me një shpejtësi të rrufeshme.
Në ditën e parë të forumit u diskutuan gjithashtu temat mbi ekonominë e dijeve, dhe mjedisin miqësor. Tryeza e Ekonomisë së Dijeve u moderua nga z. Frank Hantke, drejtor i Fondacionit Friedrich Ebert, ndërsa peshën kryesore të diskutimeve, e mbajtën ministri i arsimit të Republikës së Shqipërisë znj. Lindita Nikolla dhe z. Abdylaqim Ademi, ministër i Arsimit të Republikës së Maqedonisë. Tryezen e Mjedisit miqësor, e nderuan, me një përshëndetje të dedikuar, z.Nurhan Izairi ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Republikën e Maqedonisë, si dhe z. Gjon Fierza nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Kjo tryezë u moderua nga një prej figurave më të rëndësishme të mjedisit në rajon, z. Haki Kola, drejtor i CNVP në Kosovë.
Në ditën e dytë të punimeve të Forumit, u diskutuan tri tema të rëndësishme për ndërtimin e “qyteteve inteligjente”: Shëndeti si Mirëqenie; Përpunimi Agro-ushqimor dhe Levizshmeria - Sesion Teknik.
Tryeza e parë ajo e Shëndetit si Mirëqenie, u drejtua nga z. Klodian Allajbeu, drejtor i përgjithshëm i Spitalit Amerikan. Ndërkohë z. Ferit Agani, ministër i Shëndetësisë së Kosovës dhe znj. Milva Ikonomi, zv.ministre e Shëndetësisë, paraqitën iniciativa dhe hapa konkrete të zhvillimit të një shoqërie të shëndetshme, në një Qytet Inteligjent.
Tryeza e tretë “Përpunimi agro-ushqimor” u moderua me profesionalizëm të lartë nga z. Fabrizio Stella, drejtor i përgjithshëm AVEPA (Agjencia e Venetos për Pagesat në Bujqësi), ndërsa një pasqyrë të lidhjes së produkteve agro-ushqimore, por dhe politikave që duhen ndjekur, shpalosën z. Alban Zusi, zv. ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, si dhe z. Tokli Thomai, Prof. Dr. i Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Tryeza e fundit, por jo për nga rëndësia u moderua nga znj. Arbana Kadriu, Dekane e Fakultetit të Shkencave të Aplikuara në Universitetin “Barleti”. Në këtë tryezë, specialistë të fushës nga i gjithë rajoni, paraqitën praktikat e reja dhe inovative të teknologjisë së informacionit, pikërisht hallkën kryesore të zhvillimit të gjithë zinxhirit të qytetit inteligjent.
Krahas të gjithë pjesëmarrësve të cilët shpalosën idetë e tyre profesionale si dhe platformat konkrete per ndërtimin e një Qyteti inteligjent, pjesë e rëndësishme e Forumit, ishin dhe sponsorët të cilët i besuan dhe e mbështetën me dashamirësi këtë iniciativë të re, të Insititutit Adriapol dhe Universitetit Barleti. Falenderime pa fund sponsorit gjeneral, Fondacionit Friedrich Ebert, sponsorëve të tjerë: AMC, Spitali Amerikan, Roche, Tirana Business Park, si dhe partnerëve mediatikë: Urban City, Platformës mbarëkombëtare albeu.com dhe televizionit Alsat.
Forumi u vleresua si e para iniciativë “Smart City” në Shqipëri, hap i rëndësishëm drejt zhvillimeve, dhe terren i favorshëm për globalizimin e këtyre projekteve bashkëpunimi, në kuadër të zhvillimit dhe integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.