“Universiteti Barleti” organizoi më 8 tetor 2014, Ceremoninë e Diplomimit të studentëve. Ndryshe nga herët e tjera, kjo ceremoni u zhvillua në një nga institucionet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, siç është Muzeu Historik Kombëtar. Në ceremoni ishin të pranishëm figura të spikatura të politikës dhe arsimit si: ish-Presidenti Z. Bamir Topi; Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Znj. Englantina Gjermeni; Rektori i Universitetit “Epoka” dhe Rektori i Universitetit Europian të Tiranës; Këshilltari i Presidentit aktual Z. Bujar Nishani. Nderuan me pjesmarrjen e tyre gjithashtu edhe anëtarët e Bordit të “Universiteti Barleti”.
Fjalën e hapjes së ceremonisë e mbajti Rektori, Prof. Marenglen Spiro, i cili falenderoi pjesmarrësit dhe uroi studentët, jo vetëm për përmbylljen me sukses të ciklit të studimeve Bachelor dhe Master, por edhe për nisjen e rrugëtimit të ri në karrieren e tyre profesionale. Në fjalën tij theksoi gjithashtu vlerësimin për punën e palodhur të trupës akademike. Një falenderim i veçantë shkoi për prindërit dhe familjarët e studentëve të diplomuar. Ceremonia vijoi me fjalët përshëndetëse të studentëve të dalluar të “Universiteti Barleti”. Në fjalët e tyre të thjeshta, të mbushura me emocion dhe konsideratë dallohej vlerësimi për institucionin, pedagogët, kolegët dhe prindërit.
Na nderuan me fjalë të ngrohta dhe të sinqerta vlerësimi, ish- Presindeti Bamir Topi dhe Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Znj. Englantina Gjermeni, miq të institucionit tonë ndër vite. Të vyera ishin edhe fjalët përshëndetëse nga dy Rektorët e Universitetit “Epoka” dhe Universitetit Europian të Tiranës
Ashtu siç është tradita, në përmbyllje të ceremonisë studentët hodhën kapelet në shenjë të kurorëzimit me sukses të këtij cikli studimesh për të vijuar me fazat e tjera të jetës
