Projekti HEART (Aksion në arsimin e lartë për mësimin e të drejtave të njeriut) është një projekt i financuar nga BE, programi TEMPUS, për të zhvilluar kurse dhe programe për të drejtat e njeriut në universitet në pesë vende të Ballkanit Perëndimor në bashkëpunim me universitete të vendeve të BE-së. Ky projekt po zhvillohet prej 3 vitesh me pjesëmarrjen e 15 partnerëve, (universitetet e Roehampton, UK; I Irlandës; i Mannheim, Gjermani; i Gotemborgut, Suedi; i Prishtines; i Beogradit; i Novi Sad; i Kragujevac; i Sarajevës, i Zenicës, i Malit të Zi, i Donja Gorica; UET, UB dhe Universiteti i Tiranës.
Qëllimi i projektit është njohja dhe dhënia e njohurive studentëve për të Drejtat e Njeriut duke i ndërgjegjësuar për të qenë jo vetëm objekt por edhe subjekt i këtij të nxëni. Synimet e këtij projekti janë:
Të mësuarit rreth të drejtave të njeriut - tu jepen studentëve njohuri për të drejtat e njeriut.
Të mësuarit për të drejtat e njeriut - duke fuqizuar studentët për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe të drejtat e të tjerëve.
Të mësuarit përmes të drejtave të njeriut - një mjedis nxënës që respekton të drejtat e studentëve, stafit dhe administratorëve.
Gjatë tre viteve të zbatimit të projektit janë zhvilluar një sërë aktivitetesh në të gjitha vendet e rajonit dhe ne Universitetin Roehampton, UK ku janë këmbyer përvoja midis kolegësh, e janë trajnuar studentë e pedagogë të rinj në fushën e të drejtave të njeriut dhe mënyrat e përfshirjes së tyre në mësimdhënie. Një ndër aktivitetet përmbyllëse të projektit u zhvillua në Tiranë më 16 shtator 2014, ku Universiteti Barleti ishte një ndër aktorët kryesorë, i përfaqësuar nga një grup pedagogësh të drejtuar nga Dr. Saemira Pino.
Konferenca u hap nga Dr. Michele Lamb, koordinatore e projektit HEART në Universitetin Roehampton, e cila falënderoi pjesëmarrësit dhe vlerësoi ecurinë e projektit në tre vitet duke i dhënë më tej fjalën një përfaqësuesi të Universitetit të Bosnjës, i cili theksoi rëndësinë e mësimit të drejtave të njeriut dhe sugjeroi që ato tu mësohen fëmijëve që në kopsht.
Një argumentim të spikatur mbi të drejtat e njeriut dhe nevojën e të nxënit të tyre në tërë vendet tona të Ballkanit Perëndimor bëri Avokati i Popullit, Igli Totozani. Duke vlerësuar zbatimin e këtij lloj projekti të cilin e ka ndjekur prej nisjes së tij, shpjegoi se kultura e të drejtave të njeriut është e nevojshme për tërë institucionet tona, por mbështetja jonë duhet të jenë studentët. Ata janë e ardhmja që duke u pajisur me kulturën e të drejtave të njeriut do ta zbatojnë atë për të zhvilluar më tej vendet tona në mënyrë demokratike. Për këtë është shumë e nevojshme nxënia teorike por edhe veprimtaria praktike për t’i vënë në jetë njohuritë e përfituara nga projekte të tilla.
Kombinimi i njohurive teorike e përvojës praktike të studentëve e pedagogëve të universiteteve pjesëmarrës në projektin HEART u përcoll përmes filmave që u shfaqën para auditorit, ku studentët qëmtonin mjedise të ndryshme në Londër, dhe i filmonin çka u ndoqën nga pjesëmarrësit në këtë konferencë. Konferenca u përshëndet nga rektorët e Universiteteve shqiptare partnere në projekt, Prof.Dr. Marengelen Spiro, UB; Prof. Dr. Tonin Gjuraj, UET, dhe zëvendës rektori i UT.
Rektori i Universitetit Barleti, Prof. Dr. Marenglen Spiro vlerësoi projektin për përvojën e pasur që ka përcjellë nga universitet e rajonit dhe ato të vendeve të BE-së, për ndihmën ndaj UB dhe prezantoi punën e madhe që është kryer në universitet në kuadrin e këtij projekti. Ai përmendi projekte të veçanta për të drejtat e njeriut të hartuara e realizuara bazuar te HEART, gërshetimi i mësimdhënies klasike me veprimtaritë konkrete si dhe planifikimi i një programi master për të drejtat e njeriut në UB. Një falënderim të veçantë, rektori drejtoi për teknologjinë e përfituar e cila do të ndihmojë drejtpërdrejt veprimtaritë me studentët, ndërsa nënvizoi punën e përkushtuar nga pedagogët e përfshirë në projekt.
Më tej folën përfaqësues të universiteteve të ndryshme duke dhënë përvoja e sugjerime për përmirësimin e mëtejshëm të kurrikulave duke përfshirë të drejtat e njeriut dhe argumentuar me shembuj konkretë nga vendet e shkollat përkatëse. Secili folës tipizoi të veçantën e universitetit përkatës nga Novi Sad, apo Beogradi, Podgorica, Bosnja, Zenica apo Prishtina dhe pedagogët e Tiranës nga UET dhe UT, apo përfaqësuesit e UB, Msc. Migena Kapllanaj e Dr. Ervis Matrani.
Një produkt i këtij projekti është edhe website i krijuar me link për çdo universitet partner në projektin HEART. Dr. Lamp shpjegoi se krijimi i këtij website ka si qëllim bashkëpunimin në vijimësi të universiteteve të Ballkanit Perëndimor për të këmbyer përvojat e tyre duke përsosur më tej njohuritë për të drejtat e njeriut.
Në mbyllje të konferencës Dr. Saemira Pino shpjegoi dobitë e këtij projekti veçanërisht për universitetet shqiptare, duke vlerësuar këmbimin e përvojave dhe vendosjen e bashkëpunimit profesional e miqësor midis kolegesh me besimin që do të vazhdojë edhe pas përfundimit të projektit, duke i dhënë meritën dhe falënderimin e veçantë çdo pjesëmarrësi në të.
Konkluzionet e takimit i bëri një prej pedagogëve tepër aktivë në projekt Dr. Darren O’Brian. Konferenca u mbyll me nxitjen për të përcjellë më tej njohjen e të drejtave të njeriut në mjediset studentore e në shoqëritë tona ballkanase.
