Instituti Shqiptar për Çështjet Publike (AIPA), në bashkëpunim me zyrën e UN Women-Shqipëri, më 29 prill 2013, organizuan tryezën e rrumbullakët me temë “Kontributi i aktorëve të shoqërisë për fuqizimin e grave në situatë gjakmarrjeje”. Kjo tryezë u zhvillua në kuadrin e kryerjes së studimit “Mbi efektet e gjakmarrjes te gratë dhe vajzat në Shqipëri dhe si gratë mund të kontribuojnë për ta trajtuar atë”, mbështetur nga UN Women.
Synimi i kësaj tryeze ishte krijimi i një forumi debati të aktorëve të ndryshëm nga institucionet publike, organizatat ndërkombëtare dhe shoqëria civile, në funksion të rritjes së rolit të gruas në çrrënjosjen e kësaj dukurie.
Pas fjalës së mirëseardhjes të drejtorit ekzekutiv të AIPA, Dr. Dorian Jano dhe znj. Estela Bulku, përfaqësuese e zyrës së OKB-së për Gratë në Shqipëri, mbajtën fjalën e tyre, Avokati i Popullit z. Igli Totozani, Kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, z. Sandër Simoni dhe Drejtori ekzekutiv i Fondacionit Shqiptar për Zgjidhjen e Konflikteve dhe Pajtimin e Mosmarrëveshjeve, z. Rasim Gjoka. Ata ndanë me auditorin përvojat e tyre në përpjekjet për parandalimin dhe luftën ndaj dukurisë së gjakmarrjes dhe bënë mjaft sugjerime të vlefshme.
Dr. Saemira Pino, në emër të grupit të kërkimit, prezantoi gjetjet dhe rekomandimet e studimit të kryer nga pedagoget e universitetit “Barleti” Adriana Berberi, Migena Kapllanaj dhe ekspertet e jashtme Sonila Danaj, Erka Çaro. Ndër të tjera u theksua se gjakmarrja me efektet e saj negative është ende e pranishme dhe vazhdon të cënojë e të rrezikojë seriozisht jo vetëm jetën e burrave dhe djemve, por edhe jetën e grave dhe fëmijëve. U vu në dukje veçanërisht se ky studim, nisur dhe nga Rezoluta 1325 e OKB për sigurinë e gruas në situatë konflikti dhe rolin aktiv që ajo duhet të luajë, e analizon dukurinë e gjakmarrjes nga këndvështrimi gjinor dhe synon të përcjellë përvojat e grave dhe vajzave në situatë ngujimi si dhe të sugjerojë disa masa për fuqizimin e tyre dhe daljen nga situatat e konfliktit.
Tryeza vijoi me diskutime nga përfaqësues të ftuar të institucioneve shtetërore dhe të organizatave të shoqërisë civile. Secili prej kontribuesve në këtë diskutim, shfaqi pikëpamjen e institucionit që përfaqësonte, solli përvojën institucionale apo personale dhe ofroi sugjerime, të cilat u mirëpritën dhe do të përfshihen në rekomandimet e studimit.
Ky takim ishte një tjetër veprimtari e rëndësishme që Universiteti Barleti, kryen në fushën e kërkimit si dhe në atë të ndërgjegjësimit të mjedisit akademik dhe jashtë tij për respektimin në praktikë të të drejtave të njeriut si dhe për krijimin e një rrjeti të gjerë aktiv në këtë fushë. UB prej më shumë se një viti vijon me sukses zbatimin e projektit TEMPUS - HEART financuar nga Bashkimi Evropian që synon “ Të verë në zemër të arsimit të lartë edukimin për të drejtat e njeriut”. Për UB investimi i gjithanshëm në këtë fushë po bëhet një ndër përparësitë e aktivitetit të tij akademik dhe veçanërisht atij social.