Në kuadër të ciklit të leksioneve të hapura, ku të ftuar janë personalitete të fushave të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit, dhe diplomatë të akredituar në vendin tonë, Institutit Shqiptar për Çështje Publike, në bashkëpunim me Universitetin "Barleti", zhvilloi në datë 13 mars 2012, një tryezë të rrumbullakët dhe leksion të hapur mbi "Rolin e dialogut në ndryshimin e sistemit politik autoritar në Poloni dhe Hungari: një eksperiencë e vyer në zbutjen e konflikteve në periudhën e tranzicionit post komunist".
Të ftuar në këtë aktivitet ishin ambasadorët e Polonisë dhe të Hungarisë në Tiranë, respektivisht Znj. Irena Tatarzynska dhe Z. Janos Huzsar.
Drejtori i Institutit Shqiptar për Çështje Publike, Dr. Artan Puto, duke falënderuar të dy ambasadorët për prezencën e tyre dhe kontributin në këtë traditë të Institutit në bashkëpunim me Universitetin, ju dha fjalën të ftuarve për të folur mbi rëndësinë kyçe të Tryezave të Rrumbullakëta në të dy vendet dhe kontekstin historik në të cilin ato u zhvilluan.
Prezantimet e të dy ambasadorëve, dhe më pas diskutimi, u fokusuan tek vështirësitë që kanë hasur këto vende ish-komuniste në bisedimet për rrëzimin e sistemit komunist, për garantimin e një kalimi paqësor nga një regjim në tjetrin dhe për domosdoshmërinë e vullnetit për kompromis të të gjitha palëve, veçanërisht të grupeve të opozitës, gjatë kësaj periudhe dhe më pas.
