Universiteti "Barleti", në bashkëpunim me Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, organizoi ditën e mërkurë, dt.7 mars 2012, ora 12:00 - 13:30, ne sallën A-24, një panel ndërgjegjësues rreth problematikës së mbrojtjes së të dhënave personale në Republikën e Shqipërisë.
Për herë të parë me ligjin nr.9887, datë 10.03.2008, krijohet Autoriteti Mbikëqyrës i pavarur, për mbrojtjen e të dhënave personale. Komisioneri Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, është institucion qendror, i pavarur, me vendimmarrje individuale i administratës publike i krijuar me ligj. Rreth ligjit nr. 9887 dt. 10.3.2008 mbajti një kumtesë të plotë dhe shumë të vlefshme Drejtoresha e Çështjeve ligjore dhe Marrëdhënieve me Jashtë, znj. Anola Shala, e cila prezantoi rëndësinë e miratimit të këtij ligji, e zbatimit të tij si dhe veçoritë e legjislacionit shqiptar përballë atij evropian dhe amerikan.
Aktiviteti vazhdoi me prezantimin e Drejtorit për Marrëdhëniet me Publikun, z. Igli Pira i cili përveç një pasqyrimi të gjerë rreth institucionit të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, trajtoi edhe një temë me shumë interes për të rinjtë: Rrjetet sociale dhe rreziqet që sjell përdorimi i tyre.
Specialistja e Marrëdhënieve me Publikun Alekta Koja trajtoi konceptin e privatësisë dhe sa të kërcënuar jemi gjithsecili prej nesh, i cili fare lehtë bie pre e botës virtuale dhe nuk mban parasysh faktin që diçka e publikuar në internet, mbetet publike edhe atëherë kur ne mendojmë që mund tNULLa kemi fshirë nga servera të ndryshëm.
Një vëmendje e veçantë nga specialisti i Teknologjisë së Informacionit, Z. Neritan Sulaj ju kushtua sigurisë së informacionit. Z. Sulaj trajtoi gjerësisht konceptin e "cookies" si elemente elektronike të cilat kontrollojnë kryesisht sjelljen e përdoruesve të internetit.
Në mbyllje të këtij aktiviteti pedagogia e Fakultetit të Drejtësisë, Elona Bano trajtoi problematikën e të drejtave të njeriut dhe krimit kibernetik në Shqipëri. Një theks u vendos në: llojet më të shpeshta të krimit kibernetik; në faktin se si të drejtat themelore të njeriut që nga liria e mendimit, besimit dhe fjalës e deri tek e drejta për privatësi dhe për jetë mund të cënohen nga realiteti virtual. Ky prezantim u pasurua me kazuse konkrete si dhe me statistika të viteve të fundit të përpiluara nga FBI dhe CIA.
Përfaqësuesit e këtij institucioni së bashku me studentë dhe pedagogë të Universitetit "Barleti" zhvilluan një diskutim aktiv dhe çfarë është më e rëndësishmja informues duke bërë që aktiviteti të arrinte qëllimin e tij, pra ndërgjegjësimin e auditorit.
Të pranishmëve ju shpërndanë materiale ndërgjegjësuese të përgatitura nga ky institucion. Bashkëpunimi me institucionin e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale do të vazhdojë dhe në të ardhmen me anë të disa seminareve që do të zhvillohen në kuadrin e disiplinës "Të drejtat e njeriut".
